Gjetjet dhe konkluzionet kryesore
Për monitorimin e procesit gjyqësor administrativ me objekt
Sigurimi i padisë “Për mbylljen e veprimtarisë së Institucionit Arsimor Parauniversitar Privat, Kopshti “Zubeyde Hanim” (Tiranë)
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në përmbushje të misionit të tij ka monitoruar procesin gjyqësor administrativ pranë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë, për sigurimin e padisë lidhur me mbylljen e veprimtarisë së Institucionit Arsimor Parauniversitar Privat, Kopshti “Zubeyde Hanim”, Tiranë”. Ky proces gjyqësor u shtri në tre (tre) seanca, të realizuara në datat 9 Nëntor 2022 dhe 14 Nëntor 2022.
Më herët, KShH ka monitoruar edhe procesin gjyqësor administrativ me objekt “për sigurimin e padisë të kërkuar nga Fondacioni Gylistan, lidhur me mbylljen e Kolegjit Mehmet Akif Ersoy (institucion privat i arsimit parauniversitar)”. Konkluzionet e këtij procesi monitorues iu bënë të njohura publikut.[1]
Me fokus vëzhgimin e respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të shtetasve në vendin tonë, përkatësisht e drejta për garantimin e arsimit falas e gjithëpërfshirës si dhe e drejta për proces të rregullt, si dhe në respektim të nenit 145 pika 3 të Kushtetutës, KShH nuk ka si qëllim ndikimin në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor. Në këtë kuptim, vlen të qartësohet se çështja në fjalë mund të jetë edhe objekt i mëtejshëm ankimimi në Gjykatën e Apelit Administrativ. Megjithë këtë, në funksion të transparencës dhe interesit të publikut të gjerë për t’u njohur me këtë çështje që ka ndjeshmëri, KShH dëshiron të ndajë me publikun, disa prej konkluzioneve paraprake të dy vëzhguesve që kanë monitoruar seancat e kësaj çështjeje.
- Sa i takon mënyrës së caktimit të gjyqtares për këtë çështje, KShH, bazuar edhe në praktikën e Gjykatës Kushtetuese, vëren se “shprehja “gjykatë … e caktuar me ligj” sipas nenit 42/2 të Kushtetutës, përfshin edhe elementët e lidhur me formimin e trupit gjykues të ngarkuar për shqyrtimin e çdo çështjeje konkrete”.[2] Lidhur me përbërjen e trupit gjykues të kësaj çështjeje, vëzhguesit e KShH-së raportojnë se mungesa e evidentimit të qartë dhe në mënyrë transparente, të aktit rregullator të Kryetarit të Gjykatës (urdhër ose udhëzim) nëpërmjet të cilës është vendosur shmangia e procedurës së shortimit (përzgjedhjes me short) dhe përcaktimi i gjyqtares relatore përgjegjëse për shqyrtimin e kërkesës për sigurimin e padisë, dhe themelin e çështjes, ngre dyshime për garantimin e respektimit të procesit të rregullt ligjor, në kuptim të standartit të kërkuar për “gjykatën e caktuar me ligj”. Ky standart parashikohet edhe në nenin 6/1 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (KEDNJ). Gjithashtu, mungesa e shpalljes së këtij akti në faqen zyrtare të Gjykatës, e bën të pamundur transparencën e Gjykatës në tërësi dhe njëkohësisht njohjen e publikut me aktet e brendshme të nxjerra prej saj.
Vëzhguesit e KSHH-së vërejtën se qëndrimi i gjykatës kundrejt palëve ndërgjyqëse, në disa elementë të rëndësishëm të mbarëvajtjes së procesit krijuan pikëpyetje sa i takon parimit të paanshmërisë dhe kontradiktoritetit. Më konkretisht:
- Gjatë seancës së datës 14.11.2022, e cila kishte si objekt shqyrtimin e kërkesës për sigurimin e padisë, e si rrjedhojë pezullimin e Urdhrit Nr. 540 datë 15.09.2022 të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, u vërejt se mënyra e formulimit të pyetjeve dhe qëndrimi (sjellja) që mbajti trupi gjykues (gjyqtarja) karshi secilës palë në proces, krijoi pikëpyetje për cenimin e parimit të barazisë së palëve në proces, si dhe premisa për trajtim të ndryshëm të palëve, cenim të së drejtës së kontradiktoritetit, e reflektim të anësisë apo njëanshmërisë. Sipas informacionit të përcjellë nga vëzhguesit, trupi gjykues nuk ndërpreu përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit gjatë prapësimeve edhe pse gjatë parashtrimeve u mbajtën qëndrime që lidhen me themelin e çështjes. E ndryshme nga qasja ndaj palës së paditur, ishte sjellja e trupit gjykues ndaj prindërve të fëmijëve, ku në përmbyllje të seancës një prej prindërve të fëmijëve nuk u lejua të flasë, me argumentin se deklaratat e tij nuk kishin të bënin me fazën procedurale aktuale, por me atë të themelit. Mosndjekja e të njëjtit standart procedural ndaj palëve, përcolli tek vëzhguesit dyshime të arsyeshme, lidhur me paragjykimin e vendimmarrjes. Vlen të theksohet se ky qëndrim i gjykatës ndaj palës së paditur bie në kundërshtim me praktikën unifikuese të Gjykatës së Lartë e cila në vendimin 10, datë 24.03.2004 ka arsyetuar se “Gjykatat, vendimin për marrjen e masës së përkohshme për sigurimin e padisë nuk duhet ta mbështesin në fakte apo veprime, si dhe në cilësimin juridik të tyre, që kanë të bëjnë me shqyrtimin dhe zgjidhjen e çështjes në themel. Gjithashtu shqyrtimi i kërkesës për marrjen e masës së sigurimit të padisë duhet të trajtohet në një mënyrë të tillë që të shmangë çdo lloj perceptimi sipas të cilit gjykata e ka paragjykuar zgjidhjen e çështjes në themel apo nuk është e paanshme në gjykim” .
- Sa i takon datës së marrjes së vendimit për masën e sigurimit të padisë, në aspektin procedural, nuk janë respektuar afatet ligjore të parashikuara në nenin 28 të ligjit Nr. 49/2012 për gjykatat administrative dhe gjykimin e mosmarrëveshjeve administrative, i ndryshuar, i cili parashikon se kërkesa për sigurimin e padisë duhet të shqyrtohet brenda 5 ditëve nga data e paraqitjes në gjykatë. Në çështjen konkrete ka rezultuar se vendimi i ndërmjetëm lidhur me kërkesën për marrjen e masës së sigurimit të padisë është dhënë afro pas 1 (një) muaj me vonesë nga koha e depozitimit në gjykatë, moment që mban datën e regjistrimit 17.10.2022. KShH vëren se ky rast bën pjesë në kategorinë e çështjeve që paraqesin një nevojë urgjente për vendosjen e masave provizore të përkohshme deri në marrjen e një vendimi përfundimtar për zgjidhjen e çështjes. Afati ligjor 5 ditor, dikton nevojën për mbrojtjen në thelb të së drejtës, në mënyrë që në eventualitetin e pranimit të padisë, vendimi të jetë i ekzekutueshëm. Rrjedhimisht, për ta konkretizuar në rastin konkret, do të thotë që fëmijëve të mos i’u mohohet e drejta e arsimimit në mënyrë të pakthyeshme. Mosrespektimi i afatit ka krijuar gjithashtu tek fëmijët dhe prindërit ndjenjën pasigurisë, rëndimin e gjendjes emocionale dhe psikike, duke marrë parasysh se tashmë fëmijët kanë humbur rreth 2 muaj arsimim. Marrja e vendimit për masën e sigurisë në një afat kohor më të afërt, ndër të tjerash, do ndihmonte që prindërit të merrnin një vendim sa më të shpejtë për vijueshmërinë e arsimimit të fëmijëve pranë institucioneve të tjera që ofrojnë shërbimin parashkollor.
Përsa më sipër, vëzhguesit e KShH-së vlerësojnë se mirë-menaxhimi i afateve kohore dhe realizimi i një procesi gjyqësor, nëpërmjet disponimit me vendimmarrje brenda afateve të arsyeshme kohore, është kompetencë e drejtpërdrejtë e Gjykatës dhe jo e palëve ndërgjyqëse. Nisur nga interesi më i lartë i fëmijës, i cili duhet të udhëheqë çdo veprim e akt të ndërmarrë nga autoritetet publike, përfshirë instancat gjyqësore, KShH vlerëson se Gjykata duhet të mbante në konsideratë të drejtën për arsim dhe lirinë e zgjedhjes së institucionit arsimor, të garantuara dhe mbrojtura juridikisht nga një sërë aktesh ndërkombëtare.[3]
- Në provat e paraqitura nga ana e palës së paditur[4], u vërejt se Gjykata nuk ndërmori hetim të mirëfilltë dhe të plotë gjyqësor, i cili do të ndihmonte në verifikimin e drejtë të faktit nëse fëmijët e identifikuar si paditës në këtë proces gjyqësor, bënin pjesë në listën e fëmijëve të regjistruar pranë institucioneve publike të arsimit parashkollor. Lidhur me këtë moment kyç të seancës dhe që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në marrjen e vendimit në fund, nuk pati asnjë reagim, pyetje apo ndërhyrje nga trupi gjykues, pavarësisht se provat u administruan.
Në përfundim të seancës, gjykata vendosi se nuk plotësohen kushtet e nenit 29 te ligjit 49/2012 dhe për pasojë kërkesa e palës paditëse për sigurimin e padisë duhet rrëzuar si e pabazuar në prova dhe në ligj.
[1] https://ahc.org.al/konkluzione-per-monitorimin-e-procesit-gjyqesor-administrativ-per-sigurimin-e-padise-per-mbylljen-e-kolegjit-mehmet-akif-ersoy
[2] Vendimi nr.14, datë 17.04.2007 i Gjykatës Kushtetuese
3] Neni 3, paragrafi 1, i Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve “Në të gjitha vendimet që kanë të bëjnë me fëmijën, të marra qoftë nga institucione publike ose private të përkrahjes shoqërore, nga gjykatat, autoritetet administrative apo organet legjislative, interesi më i lartë i fëmijës duhet të jetë konsiderata mbizotëruese”.
[4]Shkresa me nr 5673/1 07.11.2022 e Drejtorisë së Përgjithshme Arsimore dhe shkresa e datës 02.11.2022, dërguar nga Drejtoria e Çerdheve dhe Kopshteve