Komiteti Shqiptar i Helsinkit në bashkëpunim me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, po zbaton nismën që ka si qëllim rritjen e transparencës, gjithëpërfshirjes dhe përgjegjshmërisë në procesin e vettingut. Para dy javësh, Komiteti i Helsinkit ju drejtua me kërkesë zyrtare institucionit përgjegjës për vettingun në shkallë të parë, Komisionit të Pavarur të Kualifikimit (KPK), ku ndër të tjerash i kërkuam informacion lidhur me numrin e ankesave të qytetarëve për gjyqtarë dhe prokurorë në kuadër të procesit të vettingut.
Me anë të medias , ditën e djeshme jemi njohur me informacionin e bërë publik nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK), se është administruar një numër i lartë ankesash i qytetarëve, përkatësisht 334 gjatë vitit 2017 dhe 30 gjatë ditëve të para të vitit 2018 . KPK konstaton, ndër të tjerash, se nuk janë depozituar nga qytetarët prova dhe fakte konkrete lidhur me subjektet që do ti nënshtrohen vettingut, por bëhet fjalë për ankesa ndaj vendimeve të cilësuara prej tyre si të padrejta nga ana e sistemit të drejtësisë.
Duke marrë shkas nga kjo situatë, Komiteti Shqiptar i Helsinkit risjell në vëmendje të të gjithë të interesuarve se ofrojmë ndihmë ligjore profesionale çdo qytetari që dëshiron ti drejtohet organeve të vettingut. Disa ankesa që na janë adresuar në zyrat tona, po asistohen nga stafi i Komitetit të Helsinkit për të parë mundësinë që të përcillen në mënyrë profesionale tek organet e vettingut. Me anë të ndihmës ligjore synojmë të orientojmë në mënyrë të drejtë çdo qytetar që kërkon ti drejtohet organeve të vettingut, nëse ka dijeni për rrethana apo fakte konkrete që mund të përbëjnë prova për gjyqtarë/prokurorë. Faktet dhe rrethanat që mund të përbjëjnë prova mund të jenë të ndryshme të tilla si dokumente, fotografi, filmimime, procesverbale të seancave gjyqësore të mbajtura ose jo me audio, sende të luajtjshme apo të paluajtshme të cilat janë në pronësi të gjyqtarëve/prokurorëve (apo familjarëve dhe të njohurve të tyre), thënie të dëshmitarëve, etj.
Në përfundim, Komiteti i Helsinkit vlerëson transparencën e realizuar nga institucioni kushtetues i vettingut (KPK), ku vërejmë se ka kontribuar edhe nisma e përbashkët me Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, në vijim të kërkesës tonë për informacion. Kjo nismë vlerësojmë se do të kontribuojë në rritjen e besimit të publikut tek vettingu që në fazat e hershme të tij, çka besojmë se është rëndësishme për pastrimin e sistemit gjyqësor nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, me lidhje të papërshtatshme me krimin e organizuar dhe të paaftë profesionalisht.