Thyerja e mitit të mosndëshkimit të korrupsionit duke forcuar besimin e qytetarëve tek institucionet e drejtësisë
Donator: Ambasada Amerikane në Shqipëri
Kohëzgjatja: Qershor 2022-Qershor 2023
Qëllimi dhe objektivi i projektit: KShH synon të kontribuojë në mënyrë proaktive në luftën kundër korrupsionit, përmes forcimit të rolit mbikëqyrës në zbatimin e politikave kundër korrupsionit. Kemi si qëllim rritjen e njohurive të publikut mbi rolin e organeve të vettingut, Prokurorisë dhe SPAK-ut. Gjithashtu, synojmë ndërgjegjësimin e publikut për të drejtat që zotërojnë kundër akteve korruptive, si dhe ofrimin e asistencës juridike e teknike ndaj qytetarëve, të cilët përballen me raste të korrupsionit, për të referuar problemin e tyre ligjor pranë organeve të drejtësisë.
Objektivat specifikë të projektit janë:
- Rritja e transparencës, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies së organeve të vettingut, nëpërmjet monitorimit të aktiviteteve të tyre funksionale dhe krijimit të hapësirës për pjesëmarrjen e publikut;
- Promovimi i vlerave të integritetit publik përmes sistemit arsimor;
- Ndërgjegjësimi më i madh i publikut për luftën kundër korrupsionit në sistemin e drejtësisë.
Gjatë zbatimit të këtij projekti KShH synon të arrijë këto rezultate:
- Publikimi i 3 infografikëve me të dhëna statistikore mbi veprimtarinë e SPAK si dhe organeve të vetting-ut përgjatë periudhës kohore 2021-2022;
- Publikimi i një raporti studimor i cili do të analizojë kompetencat vendim-marrëse të strukturave të prokurorisë dhe vendimet gjyqësore në lidhje me hetimet penale për subjektet e procesit të vettingut. Analizimi i 15-20 vendime të Prokurorisë së Përgjithshme dhe SPAK, si dhe 10-15 vendime gjyqësore në rast se SPAK dhe Prokuroria e Përgjithshme kanë ngritur akuza penale.
- Organizimin e një konference konsultuese, mbi raportin studimor të hartuar me organet shtetërore përkatëse dhe aktorë të tjerë relevantë;
- 6 forume në shkolla të mesme dhe universitete në qytetet e Shkodrës, Korçës, Durrësit për të promovuar modele pozitive të integritetit dhe për të rritur njohuritë mbi mekanizmat e sinjalizimit dhe rolin e SPAK;
- Publikimi i 1 video informuese dhe ndërgjegjësuese, 2 fletëpalosjeve elektronike dhe 2 buletinë informues, mbi veprat penale të korrupsionit, veprimtarinë e organeve të vettingut dhe mënyrat e raportimit të korrupsionit;
- 10 raste të qytetarëve që janë prekur nga vepra penale të korrupsionit të asistuar nëpërmjet ndihmës ligjore juridike dhe teknike.
- CATEGORY
- TAGS