Mbi konkluzionet kryesore sa i takon papajtueshmërive me standartet ndërkombëtare, të procedurave të ndjekura nga autoritetet shqiptare lidhur me dëbimin e shtetasit turk Harun Çelik
- Metodologjia e ndjekur
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në ushtrim të misionit të tij është njohur në fillim të këtij viti, me ngjarjen e përcjellë në mediat elektronike dhe në shtypin e shkruar, mbi ekzekutimin e masës së dëbimit/largimit, dhënë ndaj shtetasit turk Harun Çelik.
- Bazuar në ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, ligjin nr. 108/2013 “Për të huajt” (i ndryshuar), dhe ligjin nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë” (i ndryshuar), Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i është drejtuar me kërkesa zyrtare për informacion disa institucioneve si: Ministria e Brendshme, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Departamenti i Kufirit dhe Migracionit, Drejtoria e Azilit dhe Shtetësisë dhe për dijeni, Ministrisë së Drejtësisë.
- Departamenti për Kufirin dhe Migracionin, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nëpërmjet Shkresës nr. 65/3 Prot., dt. 15.01.2020, dhe Ministria e Brendshme me anë të Shkresës nr. 16/1 Prot., dt. 31.01.2020, ofruan informacionin e kërkuar nga ana e KShH-së Brenda afateve ligjore. Pas vënies në lëvizje të Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve vuri në dispozicion informacionin përkatës. Në rrugë telefonike, KShH ka grumbulluar informacione edhe nga ana e përfaqësuesit ligjor të këtij shtetasi, Av. Elton Hyseni.
- Faktet e çështjes
- Më datë 08.07.2019, shtetasi turk Harun Çelik është arrestuar në flagrancë për veprën penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, parashikuar nga neni 189/2 K.Penal. Ky shtetas është ndaluar në dalje të Republikës së Shqipërisë nga punonjësit e policisë kufitare në Pikën e Kalimit Kufitar Rinas. Në brendësi të pasaportës turke në posedim të tij, është konstatuar një vizë kanadeze e dyshuar si e falsifikuar.
- Me anë të vendimit nr. 1146., dt. 11.07.2019, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka vleftësuar si të ligjshëm arrestin në flagrancë të personit nën hetim dhe ka caktuar masën e sigurimit personal “ Arrest në burg”. Me procedurën e gjykimit të shkurtuar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë nëpërmjet vendimit nr. 2933, dt. 19.12.2019 vendosi deklarimin fajtor të shtetasit Harun Çelik dhe dënimin e tij me 13 (trembëdhjetë) muaj burgim. Në zbatim të nenit 406/1 K.Pr.P., u aplikua zbritja e 1/3 së dënimit, e si rrjedhojë u dënua me 8 muaj e 20 ditë burgim. Vuajtja e dënimit të këtij shtetasi u llogarit nga momenti i arrestimit të tij në flagrancë. Ky vendim mori formë të prerë më dt. 06.01.2020.
- Nga data e arrestimit në flagrancë deri në datën e marrjes së vendimit formë të prerë, i dënuari rezulton të ketë vuajtur 5 muaj e 28 ditë paraburgim. Në bazë të nenit 57 K.Penal, kjo periudhë llogaritet në masën 8 muaj e 27 ditë burgim. KShH vëren se, shtetasi turk Harun Çelik ka qëndruar në ambientet e paraburgimit 7 ditë më shumë se sa masa e dënimit. Nëpërmjet vendimit nr. 1016, dt. 01.01.2020, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi “Shuarjen e masës së sigurimit personal ‘Arrest në burg’ të vendosur ndaj shtetasit Harun Çelik dhe urdhërimin e lirimit të menjëhershëm të kërkuesit nga IEVP nr. 302 Mine Peza, nis nuk mbahet në burg për ndonjë shkak tjetër”. Në zbatim të këtij vendimi, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka lëshuar urdhëri i ekzekutimit, ndërkohë që IEVP Mine Peza ka ndërmarrë procedurat për ekzekutimin e tij.[1] Ky institucion ka njoftuar Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Tiranë. Nga përfaqësuesit e kësaj të fundit është bërë e mundur marrja në dorëzim e këtij shtetasi.
- Kërkesa verbale për “Azil”
- Institucionet e kontaktuara në rrugë zyrtare nga KShH informojnë se ky shtetas nuk rezulton të ketë paraqitur kërkesë për azil. Departamenti për Kufirin dhe Migracionin ka vënë në dijeni se (citojmë): “Gjatë intervistimit të tij nga autoritetet vendore për kufirin dhe migracionin Tiranë nëse kishte depozituar kërkesë për azil në Republikën e Shqipërisë, ai është përgjigjur se nuk ka kërkuar azil pasi kishte planifikuar të kërkonte azil në momentin që do të mbërrinte në Kanada”. Mungesa e depozitimit të kërkesës për azil në mënyrë të shkruar është aprovuar edhe nga ana e mbrojtësit ligjor të shtetasit turk, Av. Elton Hyseni.
- Nisur nga të dhënat dhe dëshmitë e publikuara në media,[2] referohet se shtetasi turk Harun Çelik ka kërkuar në mënyrë verbale të drejtën për të përfituar nga azili në Republikën e Shqipërisë. KShH vëren se në përputhje me gërmën “b” të nenit 3 të ligjit nr. 121/2014 “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, ligjvënësi ka parashikuar se kërkesa për azil është çdo deklaratë e të huajit ose personit pa shtetësi, e shprehur në çfarëdolloj mënyre e në çfarëdo kohe përpara autoriteteve kompetente në pikat e kalimit kufitar apo brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Qëllimi i referimit të kërkesës për azil është ‘mbrojtja ndërkombëtare’[3], por në këtë rast shtetasit turk Harun Çelik nuk i është dhënë mundësia që ta përfitojë këtë mbrojtje, për shkak se ai nuk është kategorizuar si azilkërkues apo si refugjat në vendin tonë.
- KShH tërheq vëmendjen se gjatë shoqërimit nga ana e përfaqësuesve të Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit (Tiranë) duhej të realizohej vlerësimi dhe përcaktimi, bazuar në një hetim të plotë dhe të gjithëanshëm administrativ të statusit të shtetasit të huaj. Bazuar në dokumentacionin që disponojmë, KShH vëren se autoritetet tona nuk kanë realizuar një vlerësim objektiv, të gjithanshëm dhe real, mbi faktin nëse rikthimi i këtij shtetasi në vendin e tij të origjinës përbën një risk real cënues[4] për jetën ose lirinë për shkak të anëtarësisë në një grup shoqëror ose opinionit politik, sikurse është standarti i vendosur në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut.
- Në Raportin studimor “Mbi të drejtat dhe liritë e emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri për periudhën 2012 – 2017”, KShH ka vërejtur se për pjesën më të madhe të të huajve që hynë në territorin Shqiptar gjatë viteve 2014-2017, nga Greqia, si pjesë e flukseve masive drejt Bashkimit Evropian, një pjesë e mirë e të cilëve, megjithëse nuk kërkuan azil në Shqipëri, qartësisht ishin në nevojë për mbrojtje ndërkombëtare[5]. KShH ka evidentuar në formë vërejtje për autoritetet se edhe nëse shumica e të huajve që hyjnë në RSh gjatë flukseve të lëvizjes në Ballkanin Perëndimor mund të kenë synuar të udhëtojnë tranzit, në praktikë paragjykimi i autoriteteve lidhur me këtë kategori, cenon aksesin efektiv në mekanizmat e azilit. Kjo në mënyrë të veçantë për të huajt që vijnë nga vende të njohura ndërkombëtarisht si vende prej nga njerëzit largohen për shkak, se jeta e tyre është në rrezik apo të frikës nga persekutimi. Në vlerësim të KShH-së, këto mangësi në procedurat e ndjekura nga autoritetet vërehen edhe ndaj shtetasit turk Harun Çelik. Nëse autoritetet do të kishin hetuar efektivisht për motivet e largimit të tij nga vendi i tij i origjinës do të konstatohej qartazi që ai i përket kësaj kategorie shtetasish, sikurse është referuar në media nga avokati i tij por edhe nga familjarët e tij.
- Procedura e dëbimit të shtetasit turk Harun Çelik
- KShH vëren se urdhëri i dëbimit nr. 2125, dt. 01.01.2020, lëshuar nga Departamenti për Kufirin dhe Migracionin ka disa parregullsi të natyrës procedural, por edhe në aspektin e cënimit të të dëbuarit nga e drejta për t’u njohur në gjuhën e tij lidhur me këtë urdhër si dhe për ta ankimuar atë në një instancë më të lartë.
- Së pari, gjatë përpilimit të akteve procedurale në fazën e hetimeve paraprake[6], gjatë shqyrtimit gjyqësor të vleftësimit të masës ‘arrest në flagrancë’ dhe caktimit të masës së sigurimit personal si dhe gjatë shqyrtimit gjyqësor në themel të çështjes objekt gjykimi, shtetasi turk Harun Çelik është asistuar nga ana e përkthyesit të gjuhës turke të licensuar nga ana e Ministrisë së Drejtësisë. Përkundrejt kësaj garancie, KShH vëren se urdhëri i dëbimit është hartuar në gjuhën shqipe dhe mban si gjuhë alternative vetëm atë angleze. Në nenin 109, pika 8 të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt” (i përditësuar), ligjvënësi ka parashikuar se akti i dëbimit i komunikohet të huajit në formë të shkruar, në gjuhën që kupton apo së paku në gjuhën angleze. Përveçse në shkelje të kësaj dispozite, pasi akti nuk është përkthyer në gjuhën turke, nuk ekziston asnjë deklaratë/njoftim nga ana e shtetasit të huaj që ai e kupton gjuhën angleze (referuar praktikës së dokumentacionit që na është përcjellë).
- Së dyti, sipas urdhërit të dëbimit arsyeja përse shtetasi turk Harun Çelik duhet të dëbohej nga territori i Republikës së Shqipërisë është se “ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin Republikës së Shqipërisë dhe ka të dhëna se do të përdorë territorin e saj për të kaluar ilegalisht drejt vendeve të tjera” (sipas nenit 109, gërma a) të ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”, i ndryshuar). Në fakt, KShH konstaton se shtetasi turk Harun Çelik nuk është proceduar për veprën penale të “Kalimit të paligjshëm të kufirit shtetëror” (kundërvajtje penale e parashikuar nga neni 297 K.Penal), por për veprën penale “Falsifikim të letërnjoftimeve, të pasaportave ose të vizave” (krim i parashikuar nga neni 189/2 K.Penal).
Edhe nëse do të merrnim të mirëqenë motivacionin e përmendur në urdhërin e dëbimit, KShH vëren se autoritetet e kufirit dhe migracionit nuk kanë realizuar një hetim administrativ të shkakut se përse Harun Çelik ishte larguar nga vendi i origjinës. A dëshironte ky shtetas të kthehej në vendin e tij të origjinës? A ishte ky shtetas pjesë e lëvizjes gyleniste të etiketuar si kundërshtare politike e qeverisë turke? KShH sjell në vëmendje se Gjykata e Strasburgut, në disa prej çështjeve të gjykuara, i është dashur të vlerësojë nëse arsyet thelbësore ishin shqyrtuar për të besuar se personi në fjalë, nëse dëbohej në vendin e origjinës, do të përballet me një rrezik të vërtetë për tju nënshtruar trajtimit në kundërshtim me të drejtën e jetës dhe të drejtën për të mos ju nënshtruar torturës, trajtimit ç’njerëzor dhe degradues, parashikuar në nenet 2 ose 3 të Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ). Ky standart i përcaktuar në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut nuk vërehet se është respektuar në procedurën e dëbimit të Harun Çelikut.
Më herët, as organet e sistemit tonë të drejtësisë penale, që kanë çuar në dënimin e tij penal, nuk rezulton të kenë hetuar apo gjykuar, ex-officio (me nismën e tyre), motivin e kryerjes së veprës penale për të cilën ky shtetas është dënuar, pra arsyet se përse ai është larguar nga vendi i origjinës dhe përse ka falsifikuar dokumentacionin me qëllim që të shkonte drejt Kanadasë duke përdorur tranzit vendin tonë. Dënimi penal nga gjykatat tona vendase, për veprat penale që kanë të bëjnë me kalimin e paligjshëm apo të parregullt të kufirit, për një kategori shtetasish që mund tu rrezikohet liria apo jeta në vendin e tyre të origjinës, është vlerësuar në raportin studimor të KShH-së (të cituar më lart), se nuk merr në konsideratë instrumentet ndërkombëtare të ratifikuara dhe nevojën për mbrojtje që këta shtetas duhet të kenë sipas standarteve ndërkombëtare. Gjykatat vendase i japin përparësi dispozitave të Kodit Penal, duke ndëshkuar penalisht, në ndonjë rast edhe duke ashpërsuar dënimet penale ndaj të huajve që kanë hyrë në mënyrë të parregullt në vitet 2012-2017, përfshirë edhe shtetasit sirianë, të cilët janë larguar nga vendi i tyre për shkak të luftës. Në rastin e shtetasit turk, KShH vëren se nuk ka kontribuar pozitivisht as mbrojtja e ofruar nga avokati i tij mbrojtës (referuar dokumentacionit të studiuar), me qëllim për t’i siguruar një mbrojtje ligjore efektive dhe profesionale atij, konform standarteve dhe konventave ndërkombëtare.
- Në urdhërin e dëbimit, vërehet se afati për largimin nga territori i Republikës së Shqipërisë është përcaktuar 0 ditë nga dita e njoftimit. Aplikanti është njoftuar më datë 01.01.2020 dhe po atë ditë është realizuar ekzekutimi i urdhërit të dëbimit. KShH konstaton se procedura e ekzekutimit të menjëhershëm të urdhërit të dëbimit të dhënë ndaj shtetasit Harun Çelik është kryer në cënim të garancive të parashikuara në nenin 110 të ligjit “Për të huajt” (i ndryshuar). Ligjvënësi i ka njohur të drejtën shtetasit të huaj për të ankimuar urdhërin e dëbimit të lëshuar nga autoriteti përgjegjës për kufirin dhe migracionin. Deri në përfundimin e procedurës së ankimit, i huaji mbahet në kushtet e masave alternative të mbikëqyrjes ose në qendrën e mbyllur. Nga aktet e vëna në dispozicion nuk rezulton që shtetasi turk Harun Çelik të jetë subjekt i masës së ndalimit në qendrën e mbyllur në Kareç, si dhe ndaj tij nuk rezultojnë të jenë aplikuar masa administrative alternative. E drejta ligjore e ankimit nuk i është garantuar as formalisht këtij shtetasi, pasi në pikën 5 të urdhërit të dëbimit nr. 2125, dt. 01.01.2020 është parashikuar se (citojmë): “Kundër këtij urdhri mund të bëhet ankesë mbështetur në nenin 122 të Ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt”. KShH konstaton se kjo bazë ligjore është cituar në mënyrë të pasaktë, pasi i korrespondon ankimit ndaj urdhërit të ndalimit në qendër të mbyllur. Baza ligjore e cila duhej të shërbente për ezaurimin e rrugës së procedurës administrative/gjyqësore të ankimit nga shtetasi i huaj ndaj të cilit është lëshuar urdhër dëbimi, duhej të ishte neni 110 i ligjit nr. 108/2013 “Për të huajt” (i ndryshuar me ligjin nr. 74/2016).
- Mungesa e referimit të duhur të bazës ligjore dhe mos ofrimi i mundësisë për ezaurimin e rrugëve të brendshme të ankimit ndaj urdhërit të dëbimit, mendojmë se ka cënuar të drejtën për jetë private dhe familjare (të garantuar nga neni 8 KEDNJ); të drejtën për ankim efektiv (neni 13 KEDNJ) si dhe parimin e mos-kthimit (të parashikuar në 3 të Konventës kundër Torturës dhe formave të tjera të trajtimit/dënimit të ashpër, çnjerëzor ose degradues (ratifikuar nga vendi ynë më 11 Maj 1994). Në zbatim të nenit 3 të Konventës, shtetet palë duhet të marrin masa legjislative, administrative dhe parandaluese kundër shkeljeve të mundshme të parimit të “mos-kthimit”. Komitetit kundër Torturës (CAT) ka rekomanduar “të drejtën e ankimit nga personi i interesuar kundër urdhrit të dëbimit pranë një organi të pavarur administrativ ose gjyqësor brenda një periudhe kohe të arsyeshme nga njoftimi i këtij urdhri dhe me efektin pezullues të zbatimit të tij”[7].
- Nga informacioni i vënë në dispozicion nga ana e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit evidentohet se ekzekutimi i menjëhershëm i urdhërit të dëbimit të lëshuar ndaj shtetasit Harun Çelik është mbështetur në nenin 112/pika 2 të ligjit “Për të huajt”, duke e cilësuar se prania e këtij shtetasi të huaj përbën kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Në urdhërin e dëbimit nuk rezulton të jetë parashikuar ky motivacion, si arsye për lëshimin e tij. Autoritetet vendase nuk japin shpjegime se ku e bazojnë këtë konstatim dhe nuk përmendin asnjë informacion apo dokumentacion që mbështet objektivisht këtë konkluzion, çka në vlerësimin tonë është në cenim të parimit të transparencës. Ndërkohë, në jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, në çështjen X kundër Suedisë, është vlerësuar se, kjo Gjykatë “nuk mund të mbështetet në gjetjet e autoriteteve vendase nëse ata nuk i kanë të gjitha informacionet thelbësore para tyre – për shembull për arsye të sigurisë kombëtare – kur merr vendimet e dëbimit”.
[1] Neni 21, pika 2 të Ligjit nr. 8331, dt. 21.04.1998 “Për ekzekutimin e vendimeve penale” (i ndryshuar).
[2] Burim: https://www.reporter.al/azil-azil-harun-celik-u-debua-me-force-pas-nje-ndalese-ne-ambasaden-turke/
[3] Mbrojtja ndërkombëtare mund të përkufizohet si “të gjitha veprimet, të cilat kanë për qëllim të sigurojnë akses dhe gëzim të barabartë të të drejtave të grave, burrave, vajzave dhe djemve të mbrojtur nga Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), në përputhje me legjislacionin në fuqi (duke përfshirë këtu legjislacionin ndërkombëtar për mbrojtjen humanitare, të drejtat e njeriut dhe të refugjatëve). Kjo mbrojtje përfshin ndërhyrjet nga Shtetet ose UNHCR në emër të azilkërkuesve dhe refugjatëve për të garantuar të drejtat, sigurinë dhe mirëqenien e tyre, të cilat njihen dhe garantohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ndërhyrje të tilla përfshijnë: respektimin e parimit të non-refoulement1 , parimin e sigurisë, të drejtën për një proces të rregullt për përfitimin e statusit të refugjatit, respektimin e standardeve të trajtimit njerëzor dhe zbatimi i zgjidhjeve afatgjata.
Burim: Qendra Europiane, Guidë mbi të drejtën e azilit, f. 7. Link: https://www.kas.de/c/document_library/get_file?uuid=7f3e94ca-eedb-c821-ce13-16d4e48f1630&groupId=252038
[4] Shih çështjen M.A. dhe të tjerë kundër Lituanisë (GJEDNJ), Aplikim nr. 59793/17, dt. 11.12.2018, § 113. Link: http://hudoc.echr.coe.int/eng?i=001-188267
[5] Raport studimor “Mbi të drejtat dhe liritë e emigrantëve, azilkërkuesve dhe refugjatëve në Shqipëri për periudhën 2012 – 2017, https://ahc.org.al/wp-content/uploads/2018/09/Migrantet-Shqip.pdf
[6] Është shqyrtuar procesverbali i kontrollit personal, dt. 08.07.2019, lëshuar nga Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
[7] General Comment No. 1 (2017) on the implementation of article 3 of the Convention in the context of article 22, pg. 4.