Në kuadër të zbatimit të aktivitetit 3.5 “Advokaci dhe lobim gjatë fazës së zbatimit” të projektit Shoqëria Civile Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, është organizuar më datë 18.07.2018 një aktivitet i quajtur “Breakfast on prevention of violent extremism”. Ky aktivitet mblodhi bashkë përfaqësues të disa mediave për të folur për fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm dhe hapësirës që mund të krijohet në media për këtë fenomen. Gjatë këtij takimi u bë e njohur iniciativa e zbatuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit me qëllim parandalimin dhe luftimin e fenomenit të ekstremizmit të dhunshëm. Gjatë bisedës më përfaqësuesit e mediave, ata konfirmuan se media nuk ka qënë shumë afër këtij fenomeni dhe indiferente. Ata nuk dhanë një arsye konkrete për këtë indiferencë por megjithatë ishin të gatshmë për bashkëpunim për të hapur ekranin për këtë fenomen. Media u konsiderua shumë e rëndësishme për të rritur ndërgjegjësimin dhe informacionin rreth këtij fenomeni pasi u pohua që rreth kësaj teme ka shumë pak informacion, që mund të sjellin shumë keqkuptime. Gjithashtu u evidentua si e rëndësishme përdorimi i rrjeteve sociale dhe komunikimi mes njerëzve në këto media, që shpesh herë çon në akte ekstremisht të dhunshme, që nga gjuha e urrejtjes deri në veprime ekstreme.
Pas këtij takimi u konkludua se një nga mënyrat për t’i ftuar mediat të flasin më shumë për këtë temë janë pikërisht aktivitetet me një qasje miqësore, si “Breakfast on prevention of violent extremism” apo aktivitete të ngjashme me të. Kështu, si rezultat i këtij takimi dy përfaqësuese të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, znj.Miriam Angoni dhe znj. Valmira Kallushi morën pjesë në emisionin e përditshëm “Mirëmengjes nga Xhaxhiu” në Fax News për të folur për projektin në zbatim, si dhe për fenomenin e ekstremizmit të dhunshëm në tërësi. Gjithashtu, pas këtij takimi u reflektuan në disa media të shkruara online edhe artikujt e shkruar më parë nga studiuesja e jashtme znj. Veronika Kusyova.
Ky aktivitet u organizua në kuadër të zbatimit “Shoqëria Civile kundër ekstremizmit të dhunshëm”, financuar nga Bashkimi Europian.