Heshtja dhe indiferenca krijon një terren të shëndetshëm për korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës, që në një mënyrë apo në një tjetër prekin direkt jetën e kujtdo. Ti mund të shikosh se si në vendin ku punon ose aplikon për një punë të re, sapo është ushtruar një praktikë korrupsioni. Me veprime ose pa kryer veprime. Ti mund të kesh punuar më herët në autoritetin publik apo edhe në një subjekt privat, nuk ka rëndësi në çfarë pozicioni ndodheshe, sa paguheshe apo nëse ishe vetëm praktikant/e. Ti je vënë në dijeni se ligji po shkelet, se një veprim nuk po kryhet në zbatim të tij. Nëse vendos të flasësh, për të të ruajtur dhe për të hetuar abuzimet në organizatën ku punon, egziston prej 2016 një ligj i veçantë për sinjalizimin dhe mbrojtjen e sinjalizuesve të veprimeve korruptive. Ligji të mbron nga hakmarrja, askush nuk të prek, sepse nëse preferon mund të shfaqesh në anonimitet rrethanat për të cilat je vënë në dijeni. Zyra e parë ku trokitet është ajo e Njësisë Përgjegjëse të ngritur për sinjalizuesin pranë vendit ku je i punësuar. Kjo zyrë ngrihet vetën në ato institucione publike që kanë më shumë se 80 punonjës dhe në subjektet private me më shumë se 100 punonjës. Por nëse institucioni ka më pak punonjës apo nëse dyshon se sinjalizimi yt nuk është marrë seriozisht, atëherë drejtohu pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave (ILDKPI), të cilit mund t’i drejtohesh paralelisht me kohën kur troket në zyrën e njësisë së ngritur enkas për sinjalizim.
Bilbil fryrja është një reagim qytetar përmes të cilit refuzohet pajtimi me veprimet korruptive. Ligji garanton një procedurë hetimi administrativ të shpejtë dhe të besueshëm, duke u bazuar në parimin e ruajtjes së konfidencialitetit të informacionit të sinjalizimit dhe sekretit shtetëror.
Për të sinjalizuar në njësinë përgjegjëse deklarohet verbalisht dhe në formë të shkruar, duke përshkruar faktet dhe rrethanat mbi veprimin e dyshuar të korrupsionit si edhe duke deklaruar një adresë kontakti.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit sjell në vemendje se të drejtat e sinjalizuesit kanë epërsi dhe mbështet me asistencë ligjore çdo sinjalizues që ka nevojë për mbrojtje.
Drejtohuni Komitetit Shqiptar të Helsinkit:
- për të njohur me të drejtat dhe garancitë tuaja.
- Kur mendoni se ju nevojitet asistencë ligjore gjatë hetimit administrative të sinjalizimit tuaj;
- Kur mendoni ti drejtoheni gjykatës për të kërkuar dëmshpërblim në rast se institucioni është hakmarrë padrejtësisht dhe në kundërshtim me ligjin, për shkak të sinjalizimit që ju keni bërë;
- Për çdo nevojë dhe konsulencë që keni nevojë për të ushtruar mekanizmat ligjorë të sinjalizimit.
Ky artikull u publikua në kuadër të projektit “Për një zbatim më të mirë të legjislacionit për sinjalizuesit”, mbështetur financiarisht nga Programi i Granteve të Vogla në Ambasadën e ShBA-së në Tiranë.