Sipas njoftimeve të vëzhguesve të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), vijon procesi i votimit në QV të monitoruara prej tyre.
Të dhënat paraprake të monitorimit evidentojnë se, procesi i votimit në përgjithësi ka qenë i qetë, ndërkohë që janë konstatuar disa parregullsi në procedurat e ndjekura nga organet e administrimit zgjedhor në nivel vendor, të cilat evidentojnë mungesën e njohurive për Kodin Zgjedhor, sidomos nga ana e anëtarëve të Komisioneve të Qendrave të Votimit.
Gjithashtu, media elektronike ka dhënë njoftime për disa incidente dhe ndonjë deklaratë të natyrës propagandistike, gjë që bie ndesh me nenin 77, të Kodit Zgjedhor, ku bëhet fjalë për heshtjen zgjedhore.
KShH u sugjeron subjekteve zgjedhore që të kontribuojnë në parandalimin e çdo veprimtarie apo tentative që do të dëmtonte mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, sidomos procesin e votimit. KShH sugjeron të tregohet përmbajtje dhe maturi. Konfliktet e mundshme mund dhe duhen zgjidhur në përputhje me ligjin dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Ndërkohë, shtetasit me të drejtë vote duhet ta ushtrojnë këtë të drejtë themelore kushtetuese pa asnjë lloj ndikimi dhe në një atmosferë të qetë që garanton votën e lirë, të ndershme dhe të fshehtë. KShH inkurajon qytetarët dhe u sugjeron përfaqësuesve të subjekteve zgjedhore që çdo pretendim të lidhur me fenomenin e shitblerjes së votës ta denoncojnë në organet e policisë dhe të prokurorisë, me qëllim kryerjen e hetimeve të plota dhe të gjithëanshme për verifikimin e tyre.
Sunday, 25 June 2017
/
Published in Deklarata & Njoftime për shtyp, Zgjedhje te Lira dhe te Ndershme - Deklarata & Njoftime