Të parandalohet dhuna në stadiume


Në 11 Maj 2008, në stadiumin e qytetit të Gjirokastrës u zhvillua ndeshja e futbollit midis ekipeve të futbollit të Delvinës dhe Sarandës. Mbas shënimit të golit nga ekipi i Delvinës, futbollistët kanë shkuar në rrjetën e shkallëve të stadiumit për të festuar me tifozët e tyre. Në këtë moment ka ndërhyrë dhunshëm policia dhe si pasojë janë plagosur 3 persona dy prej të cilëve ndodhen ende të shtruar në spital.

Korrespodentja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH-së) në Gjirokastër mori takim me personat e përfshirë në ngjarje. Nga verifikimi i kryer rezultoi se një nga punonjësit e policisë, të ngarkuar me mbarëvajtjen e rendit dhe të sigurisë në stadium, qëlloi me shkop gome një djalë të mitur dhe Sali Alinanin që ndiqnin ndeshjen në stadium. Në këtë moment, Artan Alinani, oficer policie tifoz në stadium, në mbrojtje të familjarit të tij, ndërhyri duke dashur të pengojë vazhdimin e dhunës. Ky i fundit u godit disa herë me shkop gome, u tërhoq zvarrë derisa humbi ndjenjat.

Nga verifikimet në vend rezultoi se punonjësit e policisë mund dhe duhej të shmangnin situatën konfliktuale jo me mjete dhune. Punonjësit të policisë pretenduan se tifozët nuk janë sjell korrekt me ta, madje kanë përdorur fjalë fyese ndaj tyre. Pavarësisht nga kjo, sipas KShH-së ekzistonte mundësia që të mos kapërcehej përdorimi i forcës sipas ligjit dhe të mos ushtrohej dhune nga ana e punonjësve të policisë.

KShH- ja dënon aktin e dhunës së ushtruar nga punonjës të policisë ndaj tifozëve në stadiumin e Gjirokastrës.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit është i shqetësuar për rritjen e rasteve të konflikteve dhe të dhunës në stadiumet shqiptare dhe shpreh indinjatën e thellë për mënyrën e menaxhimit të rasteve të tilla.

KShH-ja i bën thirrje Drejtorisë së Policisë së Shtetit të marrë masa që forma të tilla të reagimit të policisë të mos përsëriten në të ardhmen. Policia shqiptare duhet të rrisë nivelin e profesionalizmit, të aftësive menaxhuese të situatave të tilla dhe etikën e shërbimit në komunitet.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit i sugjeron organit të Prokurorisë që të hetojë ngjarjen e rëndë me shpejtësi dhe me objektivitet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit