Ekspert për hartimin e Udhëzuesit për mësues të arsimit të mesëm
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të nismës “Parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm përmes edukimit”, i cili mbështetet nga Hedayah (International Centre of Excellence for Countering Violent Extremism) me financimin e Bashkimit Evropian, shpall thirrjen publike për ekspert për hartimin e një udhëzuesi mbi përdorimin e letersisë për një edukim bazuar në vlera themelore të shoqërisë, që KShH do të realizojë.
Kjo nisëm ka synim të inkurajojë edukimin e të rinjve me vlera themelore të shoqërisë dhe demokracisë, siç janë toleranca, respekti i ndërsjellë, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi përmes mjeteve që ofron letërsia dhe librat. Në formën e një projekti pilot, kjo nismë synon të kontribuojë parandalimin e radikalizimit që çon në ekstremizëm të dhunshëm, në 2 shkolla në 12 qarqe në Shqipëri (Shkodër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Dibër, Berat, Korcë dhe Gjirokastër).
Udhëzuesi do të konsistojë në një manual didaktik të strukturuar për përdorim nga mësuesit e shkollave të mesme në punën e tyre të përditshme, që i ofron atyre një metodologji bashkëkohore të përdorimit të veprave letrare për qëllime edukative përmes aktiviteteve dhe ndërveprimit me nxënës dhe pjesëmarrjen e komunitetit. Edukimi me vlerat thelbësore si: respektimi, mbrojtja, gjithëpërfshirja, toleranca, etj. do të jetë elementi kryesor i të gjitha aktiviteteve, të cilat do të përcaktohen nga Udhëzuesi në fjalë.
Ne këtë Udhëzues do të përcaktohen llojet e veprimtarive edukative që mund të realizohen në shkollë duke u bazuar në veprat e letërsisë me të cilat do të pasurohen bibliotekat e shkollave të përfshira në këtë iniciativë, duke sugjeruar formatin, qëllimin, metodologjinë dhe objektivin e aktiviteteve, si dhe do te përshkruajë modalitetet për zbatimin e tyre. Sugjerimet për veprimtaritë edukative duhet të përmbajnë një aparat didaktik të plotë, të ilustruar me shembuj.
Disa nga veprimtaritë që duhet të përfshihen në këtë Udhëzues duhet të jenë: ngritja dhe rritja e funksionalitetit të Klubeve të Leximit; dramatizim i pjesëve të ndryshme letrare dhe organizimi i teatrove rinore për edukim, si dhe konkurse të ndryshme bazuar në tema të veprave letrare, lista e të cilave do të vihet në disposicion nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Realizimi i aktivitetet që do të sugjerohen, duhet të bazohet në funksionin e shkollës si një qender komunitare.
Udhëzuesi do të përfshijë disa modele për aktivitete edukative të bazuara në letërsi, nga të cilat rinia mund të përfitojë në drejtim të edukimit me vlerat themelore të shoqërisë.
Udhëzuesi, i pari i këtij lloji në Shqipëri, do t’i ndihmojë dhe motivojë mësuesit të sigurojnë aktivitete edukative të hartuara mbi një metodologji bashkëkohore të bazuar në vlera për parandalimin e radikalizmit që çon në ekstremizëm të dhunshëm. Aktivitetet do synojnë të rinjtë dhe përfshirjen e komunitetit të prindërve dhe më gjërë në një mënyrë inovative, tërheqëse, me qëllim përfshirjen e të gjithë studentëve në aktivitete të përbashkëta, ku çdo student mund të ketë një rol, ndryshe nga procesi mësimor në klasë.
Gjatë hartimit të Udhëzuesit, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, si dhe Koordinatori Kombëtar kundër esktremizmit të dhunshëm do të konsultohen dhe së bashku me KShH do të miratojnë Udhëzuesin. Më tej, Udhëzuesi në fjalë do të përdoret gjatë trajnimit të 24 mësueve nga 12 qarqe dhe do të shpërndahet edhe në shkolla të tjera në të gjithë Shqipërinë (në rrugë digitale) dhe do të përkthehet në gjuhën angleze për një përdorim më të gjërë.
Eksperti i angazhuar do të jetë përgjegjës për hartimin e udhëzuesit do të konsultohet jo vetëm me literaturën bashkëkohore, por dhe me institucionet përgjegjëse, duke realizuar kryerjen e takimeve me përfaqësues të institucioneve përkatëse, si dhe reflektimin e komenteve dhe sugjerimeve të tyre në draftin final të Udhëzuesit. Pas finalizimit, Eksperti duhet ta paraqesë materialin dhe në format të përmbledhur PPT.
Angazhimi i ekspertit do të jetë disa ditë gjatë një periudhe 2-3 mujore, në varësi të përmbushjes së detyrave të mësipërme dhe do të përmbyllet me dorëzimin e versionit final të Udhëzuesit.
KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale si vijon:
Aftësitë individuale
- Të jetë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet
- Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip dhe jo vetëm
- Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik
- Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura
- Të ketë aftësi të punojnë nën presionin e kohës.
Edukimi dhe aftësitë profesionale
- Të ketë përfunduar studimet e larta (preferohen kandidatët që kanë përfunduar studimet në shkencat e edukimit, letërsisë, gazetarisë, shkencat sociale)
- Të ketë përvojë të mëparshme profesionale në çështjet që lidhen me mësimdhënien në arsimin e mesëm dhe metodologjitë bashkëkohore të të nxënit
- Të jetë angazhuar si ekspert, konsulent ose të ketë marrë pjesë në seminare dhe trajnime lidhur me çështjet e radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm
- Preferohen aplikantë që kanë përvojë në hartimin e Udhëzuesve ose materialeve didaktike të ngjashme ose/dhe kanë kryer studime lidhur me temat e lartpermendura
- Të ketë njohuri shumë të mira të gjuhës angleze, të vërtetuara me çertifikatën përkatëse të lëshuar nga Fakulteti i Gjuhëve të Huaj ose subjekte te liçensuara.
Të interesuarit të aplikojnë deri në datën 5 Mars 2020, ora 17.00, duke dërguar (në gjuhën angleze) një propozim për metodologjinë dhe një ofertë financiare, brenda shumës maksimale 1000 EUR, së bashku me letrën e motivimit, CV dhe një listë me dokumente të ngjashme të hartuar prej tyre. Dokumentet do të dërgohen në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së: office@ahc.org.al.