Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të nismës “Mbështetje për median e pavarur në Shqipëri” financuar nga Ambasda Britanike nëpërmjet projektit Justice 4All/USAID, shpall thirrjen publike për dy ekspertë për të realizuar studimin që KShH do të ndërmarrë mbi të drejtat e punës së gazetarëve në Shqipëri. Studimi ka si qëllim të analizojë shkaqet e shkeljes së të drejtave të punës së gazetarëve dhe rastet në nivel kombëtar. Studimi do të analizojë faktorët që pengojnë gazetarët të kërkojnë zgjidhjen dhe adresimin e tyre në rrugë gjyqësore. Këto do të jenë disa nga problematikat kryesore që do te analizohen në studim.
Ekspertët e angazhuar do të jenë përgjegjës për hartimin e një metodologjie që do të ndiqet për studimin, hartimin e pyetësorit i cili do të shërbejë për gjenerimin e të dhënave, kryerjen e intervistave me gazetarë e pronarë të mediave, shoqatat e gazetarëve, përfaqësues të organeve gjyqësore, si dhe hartimin e raportit final me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.
Realizimi i këtij studimi kërkon angazhimin i një eksperti te mediave dhe një eksperti njohës të legjislacionit gjatë gjithë kohëzgjatjes së realizimit të studimit, në periudha të ndryshme, në varësi të përmbushjes së detyrave të mësipërme dhe do të përmbyllet me prezantimin e gjetjeve në takimin përmbyllës, të cilat do të ndahen me të gjithë aktorët që punojnë në këtë fushë. Studimi do të publikohet në rrjetet sociale dhe ëebsite e KShH.
KShH inkurajon kandidatët të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere dhe ofrojnë aftësi individuale dhe profesionale, dhe formim arsimor si vijon:
Aftësitë individuale
Të jenë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet;
Të kenë aftësi shumë të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip dhe jo vetëm;
Të kenë aftësi analitike dhe mendim kritik;
Të jenë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura;
Të kenë aftësi të punojnë nën presionin e kohës;
Edukimi dhe aftësitë profesionale
Të kenë përfunduar studime të thelluara në gazetari, shkencat sociale, apo juridike, të kenë njohuri të mira të çështjeve që lidhen me median, të drejtat e njeriut, kodit të punës, të drejtave të gazetarëve në punë. Preferohen aplikantë që kanë përvojë në procese hulumtimi shkencor dhe kanë kryer studime lidhur me temat e lartpërmendura. Të ketë njohuri të gjuhës angleze (Niveli C2).
Të interesuarit mund të aplikojnë deri në datën 8 gusht 2019, ora 17.00, duke dërguar një propozim për metodologjinë dhe një ofertë financiare, së bashku me letrën e motivimit, CV dhe një listë me links/tituj për studime të ngjashme. Dokumentet do të dërgohen në formë elektronike në adresën e emai-it të KShH-së office@ahc.org.al.