Thirrje për ekspertë për kryerjen e një sondazhi (baseline/endline survey)

“Aktivitete edukative të bazuara në vlera, për të parandaluar Ekstremizmin e Dhunshëm tek të rinjtë në Shqipëri”

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të nismës “Parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm përmes edukimit”, i cili mbështetet nga Hedayah (International Centre of Excellence for Countering Violent Extremism), shpall thirrjen publike për ekspert për hartimin e një sondazhi (baseline&endline survey), që KShH do të realizojë me synim të inkurajojë edukimin e të rinjve me vlera themelore të shoqërisë dhe demokracisë, siç janë toleranca, respekti i ndërsjellë, bashkëpunimi dhe mirëkuptimi përmes mjeteve që ofron letërsia dhe librat. Në formën e një projekti pilot, kjo nismë do të kontribuojë parandalimin e radikalizimit që çon në ekstremizëm të dhunshëm, në 2 shkolla në 12 qarqe në Shqipëri (Shkodër, Kukës, Lezhë, Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier, Vlorë, Dibër, Berat, Korcë dhe Gjirokastër).

Sondazhi i cili do të zhvillohet do të hulumtojë elementët si më poshtë:

– Letërsia: hulumtim i 24 bibliotekave shkollore dhe gjendje së tyre, përdorimin e librave për arsim të bazuar në vlera, qasjen ndaj librave, tendencat dhe interesat që kanë nxënësit lidhur me leximin, aktivitetet e organizuara në shkolla për të inkurajuar leximin. Pyetësori/sondazhi gjithashtu do të bëjë një vlerësim nëse librat ekzistues janë përdorur më parë për të promovuar arsimin e bazuar në vlera apo jo.

– Ekstremizmi i dhunshëm: nivelin e ndërgjegjësimit, njohurive dhe kuptimit të këtij fenomeni nga mësuesit, psikologët e shkollave të synuara dhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare.

– Perceptimi i feve: si perceptohet dhe kuptohet feja nga nxënësit, mësuesit, psikologët e shkollës, prindërit; si është qëndrimi i tyre ndaj feve të ndryshme, cilat janë boshllëqet etj.

Sondazhi, që do të realizohet, do të përfshijë pyetësorë të ndryshëm që do të përdoren për një kampion mësuesish, psikologësh dhe përfaqësuesish të komuniteteve fetare. Gjithashtu do të zhvillohen edhe disa fokus grupe me nxënësit dhe prindërit në shkollat e përcaktuara. Gjithashtu pjesë e sondazhit do të jenë edhe disa intervista me përfaqësuesit e Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë, mësuesit, studentët dhe prindërit për të studjuar më në brendësi disa tema specifike, si dhe për të verifikuar gjetjet e rezultuara nga pyetësorët.

Sondazhi synon gjithashtu të evidentojë dhe të analizojë ndryshimin e situatës lidhur me elementet e sipërpërmendur, pas zbatimit të kësaj nisme.

Sondazhi do të bëhet në fillim dhe gjithashtu në fund të zbatimit të nismës për një kampion të përbërë prej 24 shkollave. Duke krahasuar gjetjet e sondazhit në fillim dhe në fund të projektit, studimi do të shërbejë për të vlerësuar impaktin e arritur. Duke pasur parasysh risinë e këtij projekti, rezulton se mungojnë të dhëna në lidhje me përdorimin e literaturës për qëllime edukuese për të parandaluar radikalizmin që çon në ekstremizëm të dhunshëm. Për më tepër, një trajnim i mësuesve për njohjen dhe parandalimin e këtij fenomeni përmes arsimit të bazuar në vlera nuk është bërë ende. Të dhënat tregojnë se mësuesit dhe psikologët nuk janë të trajnuar në CVE.

Eksperti i angazhuar do të jetë përgjegjës për hartimin e një metodologjie që do të ndiqet për sondazhin/studimin, hartimin e pyetësorit i cili do të shërbejë për gjenerimin e të dhënave, si dhe hartimin e raportit final me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse.

Angazhimi i ekspertit do të jetë për gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, në dy periudha të ndryshme, në varësi të përmbushjes së detyrave të mësipërme dhe do të përmbyllet me prezantimin e gjetjeve në përfundim të projektit.

KShH inkurajon aplikimet nga kandidatë, të cilët janë të interesuar për t’u angazhuar si ekspertë në këtë proces dhe plotësojnë këto kritere të aftësisë individuale, edukimit dhe aftësisë profesionale si vijon:

Aftësitë individuale

Të jetë i/e pavarur, i/e paanshëm dhe me integritet;

Të ketë aftësi shumë të mira komunikimi dhe bashkëpunimi në ekip dhe jo vetëm;

Të ketë aftësi analitike dhe mendim kritik;

Të jetë i/e përgjegjshëm për respektimin e detyrave dhe afatet e vendosura;

Të ketë aftësi të punojnë nën presionin e kohës.

Edukimi dhe aftësitë profesionale

Të ketë përfunduar studimet master (diploma e studimeve doktorale përbën avantazh)  në shkencat sociale apo juridike, të ketë njohuri të mira të çështjeve që lidhen me të drejtat e njeriut, arsimin, kulturën fetare dhe çështjet e ekstremizmit në vendin tonë. Preferohen aplikantë që kanë përvojë në procese hulumtimi shkencore dhe kanë kryer studime lidhur me temat e lartpermendura. Të ketë njohuri të të gjuhës angleze (Niveli C2).

Të interesuarit të aplikojnë deri në datën 24 Mars 2020, ora 17.00, duke dërguar (në gjuhën angleze) një propozim për metodologjinë dhe një ofertë financiare deri në shumën 1,200 EUR, së bashku me letrën e motivimit, CV dhe një listë me studime të ngjashme. Dokumentet do të dërgohen në formë elektronike në adresën e e-mailit të KShH-së office@ahc.org.al.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *