Gjatë kryerjes së operacionit “Vol-vo 4” janë kryer një numër i konsiderueshëm ndalimesh dhe arrestimesh. Sipas medias referohet se është arrestuar edhe shtetasja Mimoza Ndoka, e akuzuar për tjetërsim pronash.
Sipas njoftimeve të medias, të dt.25 Tetor 2018, prokuroria ka kërkuar për shtetasen M. Ndoka, masë sigurimi “arrest në burg”, ndërsa gjykata ka vendosur masën “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”. Referuar njoftimeve në media, M. Ndoka është lejuar nga gjykata, në kohën kur do të shqyrtohej masa e sigurimit që ti jepte gji fëmijës së saj.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në aspektin ligjor dhe human, i ka tërhequr vëmendjen kjo ngjarje, për dy arsye kryesore. Së pari, duke pasur parasysh nenin 230, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale, nuk mund të vendoset arresti në burg ndaj një gruaje që është shtatzënë ose me fëmijë nën moshën 3 vjeç dhe që jeton me të. Së dyti, në kushtet kur jemi në raste të tilla, arresti në burg mund të vendoset vetëm përjashtimisht, kur ka shkaqe të një rëndësie të veçantë për krimet që dënohen jo më pak në maksimum se dhjetë vjet burgim (n.230, pika 3 e K.Pr.Penale).
Nëse në rastin konkret, jemi në kushtet dhe rrethanat që parashikohen në nenin 230, pika 2 e Kodit të Procedurës Penale dhe nëse vepra penale për të cilën akuzohet shtetasja M. Ndoka është nën maksimumin e parashikuar në pikën 3 të këtij neni, cila është arsyeja që prokurori i ka kërkuar gjykatës caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg”?
KShH ka në konsideratë edhe standardet ndërkombëtare që janë bërë pjesë e legjislacionit tonë të brendshëm, të cilat inkurajojnë me forcë mospërdorimin e masave shtrënguese të kufizimit të lirisë gjatë hetimit dhe gjykimit, deri në dhënien e vendimit, duke mbajtur qëndrimin se heqja e lirisë duhet të zbatohet vetëm kur masat jo kufizuese të lirisë nuk mjaftojnë. Në të kaluarën, KShH ka realizuar edhe një studim të veçantë lidhur me praktikën e ndjekur nga organet e sistemit të drejtësisë penale në kërkimin dhe caktimin e masave të sigurisë, ku ndër të tjerash është vërejture se, organi akuzës është tepër i ashpër në kërkimin e masave të sigurimit dhe sidomos në kërkesën për “arrest në burg”.
Në rastin e shtetases M. Ndoka, KShH i sugjeron organeve përkatëse që në kuadër të transparencës dhe në përputhje me ligjin, ti japin publikut sqarimet përkatëse nëse ka pasur ose jo kufizim të paligjshëm të lirisë së kësaj shtetaseje si dhe të merren masat përkatëse, ndaj kujtdo që ka shkelur ligjin në këtë drejtim.