Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive, Komiteti Shqiptar i Helsinkit
Respekti ndaj vendimeve gjyqësore varet nga besimi i publikut në integritetin dhe pavarësinë e gjyqtarëve. Integriteti dhe pavarësia e gjyqtarëve varet nga ana tjetër nga veprimi i tyre pa frikë dhe favore[1].
Me reformën në sistemin e drejtësisë në vendin tonë, krijimi dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese pësoi ndryshime të rëndësishme që synuan të forcojnë pavarësinë, efikasitetin, aksesin dhe besimin e qytetarëve në këtë gjykatë. Paanshmëria dhe integriteti i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përbën një gur themeli për besueshmërinë e publikut në organet e drejtësisë, përfshi këtu dhe Gjykatën Kushtetuese. Kjo gjykatë, edhe pse nuk është pjesë e sistemit gjyqësor, zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës. Gj.Kushtetuese mund të vihet në lëvizje si nga Organizatat Jofitimprurëse dhe nga individë të veçantë, pasi këta të fundit të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike, në mbrojtje të të drejtave dhe lirive të tyre kushtetuese.
Për të besuar në drejtësinë kushtetuese që realizohet nga Gjykata Kushtetuese, për publikun nuk është e mjaftueshme të kuptojë se legjislacioni që rregullon organizimin dhe funksionimin e saj është përmirësuar dukshëm. Besimi në drejtësinë kushtetuese nuk është klishe. Pjesë e rëndësishme e tij janë vendimmarrjet e kësaj Gjykate. Edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim, kritika ndaj tyre nuk duhet të konsiderohet aspak si tabu. Oponencat ndaj këtyre vendimeve mund të shërbejnë si një mjet për të nxitur atë që njihet si “mendimi kritik” dhe që sjell sado modestisht, përmirësime apo reflektime pozitive në vendimmarrje të mëtejshme të kësaj Gjykate.
Ndër vendimmarrjet e Gjykatës Kushtetuese për këtë vit, pasi fitoi sërisht funksionalitetin e saj, është Vendimi nr. 20 datë 20.04.2021, me palë kërkuese Komitetin Shqiptar të Helsinkit (KShH). Në kërkesën e tij, KShH kërkoi shfuqizimin e testit të poligrafit në procedurat e rekrutimit të kandidatëve për drejtues ose hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit (ose siç njihët ndryshe makina e së vërtetës) në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”. Gjithashtu, KShH kërkoi shfuqizimin e dispozitës që parashikon testin psikologjik të integritetit dhe testeve të tjera, edhe me ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme në kuadër të vettingut në polici, në ligjin nr. 12/2018 “Për vlerësimin kalimtar dhe periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat në Ministrinë e Brendshme”.
Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi të mos pranojë kërkimet e KShH-së për kundërshtimin e testit të poligrafit tek ligji i SPAK (95/2016), por ndërkohë pranoi pjesërisht kërkimet e KShH-së për nenin 38/2 të ligjit të vettingut në polici, duke shfuqizuar togfjalëshin “, edhe me e ndihmën e mjeteve teknologjike të posaçme,”.
Marr shkas në referimin e këtij opinioni kritik, bazuar edhe në vendimmarrje të ngjashme në jurisprudencën e Gjykatës Supreme të SHBA-së ose të Gjykatave Supreme të shteteve përbërëse të saj, ku ndarjet midis gjyqtarëve në konkluzione apo argumenta ndaj testit të poligrafit janë evidente. Mjafton të përmendim vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së (Mars 1998), në çështjen United States vs. Scheffer (96-1133) , i cili reflekton një larmishmëri të debatit juridik lidhur me poligrafin dhe përdorimin e tij si provë, të parashtruara disa mendime në pakicë apo paralele të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Ndërkohë, vendimit të Gjykatës tonë Kushtetuese i mungoi një larmishmëri debati midis anëtarëve, çka evidentoi qëndrimin njëzëri për të qenë pro përfshirjes së testit të poligrafit ose “makinës të së vërtetës” si kriter emërimi i kandidatëve për hetues dhe drejtues të BKH-së.
Pajisjet e hershme për zbulimin e gënjeshtrës datojnë me shpikjen e kriminologut Italian, Cesare Lombroso, në vitin 1895, e përdorur për të matur ndryshimet në presionin e gjakut për rastet e policisë. Pajisja që regjistron presionin e gjakut dhe frymëmarrjen dhe që u zbatua për herë të parë nga organet ligjzbatuese amerikane (Departamentin e Policisë Berkeley), u shpik në vitin 1921 nga oficeri i policisë John Augustus Larson.
Në kërkesën e tij, KShH argumentoi se përdorimi i testit të poligrafit apo mjetet teknologjike të posaçme (që sipas KShH-së nënkuptonin këtë test) cënonin disa parime dhe të drejta kushtetuese, të cilat përbëjnë vlera të veçanta për mbrotjen e dinjitetin njerëzor. Konkretisht:
KShH argumentoi se dispozitat ligjore të kundërshtuara cenojnë parimin e sigurisë juridike, i cili ka si kërkesë të domosdoshme që ligji në tërësi apo dispozita të veçanta të tij në përmbajtjen e tyre duhet të jenë të qarta, të përcaktuara dhe të kuptueshme (shih vendimin nr. 9, datë 26.02.2007 të Gjykatës Kushtetuese).
Rregullorja “Për përdorimin e testit të poligrafit për aplikantët dhe punonjësit e BKH-së” e miratuar në dt.11.02.2020, reflekton paqartësinë dhe papërcaktueshmërinë e ligjit nr.95/2016, i cili, ndër të tjerash, nuk garanton minimalisht si një ligj special që zbatohet edhe në procedurat e rekrutimit të drejtuesit dhe hetuesve të BKH-së, të drejtën e këtyre subjekteve për t’u njohur me rezultatet e testit të poligrafit dhe për ti kundërshtuar ato.
Së dyti, edhe pse qëllimi i Kuvendit, me ndërhyrjet e realizuara në këto dy ligje (dispozitat specifike të të cilave janë kundërshtuar) është legjitim, KSHH argumentoi se tre kërkesat e testit të proporcionalitetit nuk janë respektuar.
KShH argumentoi se poligrafi si një pajisje teknike, nuk përbën një masë të përshtatshme për arritjen e qëllimit, pasi nuk ka baza të konsoliduara shkencore dhe si rrjedhojë besueshmëria tij është e kufizuar. Kjo për arsye se të dhënat që mund të rezultojnë nga përdorimi i poligrafit janë të natyrës fiziologjike të cilat shprehen në presionin e gjakut, pulsin, frymëmarrjen, përcjellshmërinë e lëkurës etj. Mungesa e bazës së konsoliduar shkencore të testit të poligrafit dhe rrjedhimisht dhe besueshmërisë së tij është vërejtur në jurisprudencën e vendeve që e kanë aplikuar, ku ndër të tjerash në vendimin e Gjykatës së Lartë të SHBA-së, në çështjen United States vs. Scheffer (96-1133) , ku theksohet se “Deri më sot, komuniteti shkencor mbetet jashtëzakonisht i polarizuar në lidhje me besueshmërinë e teknikave të poligrafisë. Kjo mungesë e konsensusit shkencor reflektohet në mosmarrëveshjen midis gjykatave shtetërore dhe federale në lidhje me pranueshmërinë dhe besueshmërinë e provave të poligrafisë.
Në vlerësimin e KShH-së, masa e propozuar nuk është e domosdoshme, pasi si Kushtetuta në nenin 148/dh, pika 5 por dhe vetë ligji nr.95/2016, parashikon kufizimet e nevojshme për të arritur qëllimin e kërkuar në nenin 2, pika 2 të ligjit nr.95/2016. Përveç kritereve të shumta strikte të parashikuara në ligj si dhe detyrimit për t’ju nënshtruar verifikimit të pasurisë dhe figurës, kandidatët për drejtues dhe hetues të BKH japin pëlqimin për kontrollin periodik të llogarive të tyre bankare dhe telekomunikimeve personale, që është një mjet që kontribuon në drejtim të garantimit të integritetit dhe pastërtisë së tyre edhe pasi emërohen në këto funksione/pozicione, duke i shtrirë efektet përgjatë gjithë periudhës së ushtrimit të funksionit/pozicionit.
Në çështjen ‘Burgimi i përjetshëm’, Gjykata Kushtetuese e Gjermanisë, midis të tjerave shprehet se edhe përdorimi i zbuluesit të gënjeshtrës në procesin penal është konsideruar i pavlefshëm nga gjykatat, mbi bazën e dinjitetit njerëzor. Të nxjerrësh të vërtetën duke ekspozuar personin, ndaj një makine, shprehej gjykata, është ta vlerësosh atë si objekt dhe jo si qenie njerëzore që është në gjendje të tregojë të vërtetën nëpërmjet një procesi të zakonshëm pyetjeje.
Në vendimin e Gjykatës Supreme të Shtetit Montana (SHBA) të vitit 1983, në çështjen Oberg kundër Qytetit Billings , Bruce P. Oberg, një oficer policie i qytetit “Billings” kundërshton që ti nënshtrohet testit të poligrafit në marrëdhëniet e punës si dhe kundërshton si antikushtetues, atë pjesë të statutit që parashikon përjashtimisht vetëm për punonjësit e agjencive ligjzbatuese publike, mundësinë për t’ja nënshtruar punonjësit e tyre testit të poligrafit për efekt rekrutimi apo mbajtje në punë, ndërkohë që për ente të tjera publike, përfshi bizneset, firmat, korporatat, është i ndaluar përdorimi i testit të poligrafit ose çdo formë e testit që tregon mekanikisht “gënjeshtrën”. Nuk ka aspak dyshim që nënshtrimi ndaj testit “Detektori i gënjeshtres” shkel dinjitetin e dikujt (njerëzor), apo nëse do të testohej (strukturohej) me më rreptësi, mund të përbënte ndërhyjë në privatësi – arsyeton Gjykata Supreme e Montantës në këtë vendim.
Dispozitat e të dy ligjeve të kundërshtuara nga KShH, nuk përmbajnë garanci të mjaftueshme lidhur me mbrojtjen e individëve nga ndërhyrjet arbitrare të organeve zbatuese përtej kufizimeve që parashikon e drejta për privatësi dhe jetë familjare (neni 8 i KEDNJ-së), si rezultat i nënshtrimit ndaj testeve respektive (psh lidhur me natyrën e pyetjeve, llojin e ekzaniminimit, etj).
Gjithashtu, KShH referoi se përdorimi i poligrafit (pavarësisht nga pëlqimi që jepet) gjatë procedurës së rekrutimit në BKH (hetues/drejtues) si dhe në kuadër të vettingut në polici (përfshi këtu testin psikologjik të personalitetit), nuk mund të jetë provë dhe si rrjedhim vlerësimi i tij bie ndesh me standartet e procesit të rregullt ligjor, parim i rëndësishëm i Kushtetutës sonë (neni 42/1) dhe i Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (neni 6/1). Teste të tilla nuk parashikohen si provë as në Kodin e Procedurave Administrative.
Qasjen kritike ndaj këtij vendimi do ta filloja me shprehjen e përdorur në mendimin e pakicës së dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ku teksa kundërshtojnë qëndrimin e shumicës vetëm për sa i takon lënies në fuqi tek ligji për vettingun në polici të shprehjes “teste të tjera”, e cilësojnë arsyetimin e shumicës si të sforcuar dhe kontradiktor (shih paragrafin 15 të mendimit të pakicës). Në fakt, elementët e sforcuar, kontradiktor, jo koherent, në mungesë të një analize të plotë dhe të qartë, madje edhe të shoqëruar me elementë të njënashmërisë në ndonjë rast, vërehen në disa pjesë arsyetuese dhe qëndrime të mbajtura nga shumica, në këtë vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese i kushton një vëmendje të veçantë në arsyetimin e vendimmarrjes së saj, dinjitetit të njeriut, si vlera më e lartë njerëzore që mishërohet që në preambulën e saj, duke u vendosur përpara nocioneve të tjera që përbëjnë bazat e shtetit (shih parag 33-45, fq.15-17). Mgjth, Gjykata ka shmanguar qëndrimin nëse testi i poligrafit në kontekstin e dispozitave të kundërshtuara nga KShH e cenon ose jo dinjitetin njerëzor. Gjykata referon një rast të ngjashëm nga Gjykata Kushtetuese e Moldavisë (pavarësisht se natyra e kërkimeve mund të mos jetë e njëjtë me ato të KShH-së), ku kjo gjykatë vlerëson se është e vërtetë se mund tu bëhen pyetje (në kuadër të poligrafit) për privatësinë e tyre, por në çdo rast ato nuk duhet të cenojnë nderin dhe dinjitetin (paragrafi 43, fq.17). Në fakt ky vendim i Gjykatës Kushtetuese Moldave, referuar kontekstit në të cilin është përdorur, nuk përkon plotësisht me qëndrimin e Gjykatës Supreme të Shtetit të Montantës në SHBA. Në çështjen Oberg kundër qytetit Billings (22 Dhjetor 1983), Gjykata Supreme e Montantës shprehet se “Nuk mund të vihet në dyshim se nënshtrimi i një personi ndaj një testi për zbulimin e gënjeshtrës përbën cenimin e dinjitetit të tij dhe nëse nuk strukturohet në mënyrë rigoroze, mund të përbëjë edhe një cenim të privatësisë”.
Sa më sipër, dallimi midis këtyre dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese Moldave dhe Gjykatës Supreme të Montanës qëndron së pari në faktin që Gjykata e Moldavisë vendos si kusht faktin që natyra e pyetjeve që do të drejtohen të mos cenojë dinjitetin dhe nderin e njeriut ndërkohë që Gjykata e Montantës, cenimin e dinjitetit nuk e sheh domosdoshmërisht të lidhur me natyrën e pyetjeve por me nënshtrimin e personit ndaj testit të poligrafit, pra me mjetin që përdoret. Teksa Gjykata jonë Kushtetuese e njeh dinjitetin njerëzor si një vlerën më të lartë njerëzore, dhe mënyra se si është strukturuar dhe parashikuar në Kushtetutë, bën që të theksohet dallimi (pra qëndrimi i tij më vete) dhe njëkohësisht lidhja me të drejtat dhe liritë. Por cenimin ose jo të dinjitetit veçmas, pa e lidhur me të drejtat e tjera sikurse është e drejta për privatësi, Gjykata jonë Kushtetuese e shmang në pjesën arsyetuese të saj.
Në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese nuk thuhet asnjë fjalë për shkallën ose probabilitetin e besueshmërisë së testit të poligrafit. A mundet të përcaktojë integritetin e një personi një test që nuk garanton saktësinë e nevojshme shkencore dhe që për më tepër, të gjithë kandidatët që i janë nënshtruar atij sipas raportimit të SPAK nuk e kanë kaluar me sukses?? Gjykata Kushtetuese, në paragrafin 54, referon se do të vlerësojë mënyrën e funksionimit të testit të poligrafit në SHBA dhe përdorimin e tij vitet e fundit në Evropë, në proceset e rekrutimit të punonjësve në institucione shtetërore të caktuara. Kur analizon modelin amerikan, Gjykata Kushtetuese evidenton një qëndrim të diskutueshëm për besueshmërinë e poligrafit, të Departamentit të Drejtësisë “Makina e poligrafit nuk është një “gjurmues i gënjeshtrës”, as operatori që interpreton grafikët nuk zbulon “gënjeshtra”. Teksa ndalet tek analiza e modeleve ligjore për përdorimin e poligrafit në Evropë, nga 51 shtete të Evropës, vendimi i Gjykatës Kushtetuese përmend vetëm dy prej tyre, Lituaninë dhe Poloninë, si dhe referohet dhe vendimmarrja e Gj.Kushtetuese e Moldavisë, po pa përcaktuar modelin ligjor që Moldavia ka huazuar për poligrafin, çfarë është kontestuar para kësaj gjykate, argumentat e referuara dhe çfarë është vendosur me anë të këtij vendimi.
Gjykata jonë Kushtetuese, arsyeton se, në çdo rast, legjitimimi ose jo i ndërhyrjes do të varej kryesisht nga intesiteti i saj, shkalla e cenimit të jetës private, domosdoshmëria e kësaj ndërhyrjeje në shoqërinë dhe demokratike dhe në realitetin konkret që e ka diktuar atë, efektiviteti dhe proporcionaliteti në raportin e qëllimit që është synuar të arrihet dhe mjetet e përdorura për arritjen e tij (paragrafi 50, fq.19). Por sikurse do të vërehet në vijim të arsyetimit, Gjykata Kushtetuese nuk analizon konkretisht, intensitetin e ndërhyrjes, shkallën e cenimit të jetës private, efektivitetin e poligrafit (aq më tepër me një mjet që nuk ofron garanci shkencore), etj.
Gjykata vlerëson se nënshtrimi ndaj testit të poligrafit, në procesin e emërimit të drejtorit dhe të hetuesve të BKH-së, sipas ligjit nr.95/2016, si dhe nënshtrimi ndaj testit psikologjik të personalitetit në procesin e vlerësimit të subjekteve të ligjit nr.12/2018, për shkak të metodës së strukturimit të llojit të pyetjeve që i drejtohen individit, vendosin kufizm të së drejtës së jetës private të kandidatit për këto pozicione, i cili pashmangshmërisht cenon edhe dinjitetin e tij (paragrafi 70, fq.24). Në këtë paragraf, Gjykata Kushtetuese e lidh cenimin e dinjitetit me të drejtën e jetës private. Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë asnjë vlerësim nga pikëpamja kushtetuese, nëse ajo çka ndjen një qenie njerëzore teksa i nënshtrohet një makine që mat ritmin e zemrës, përcjellshmërinë e lëkurës etj dhe që synon të zbulojë të vërtetën, a e cenon apo jo në dinjitetin e tij/sa njerëzor, i cili qëndron më vete dhe është i skalitur në preambulën kushtetuesej? Gjithashtu, Gjykata Kushtetuese ka arritur në këtë konkluzion nisur nga natyra e pyetjeve që i drejtohen individit të vendosura në dispozicion nga Prokuroria e Posaçme, të cilat sikurse pohuan subjektet e interesuara janë pyetje tip dhe mund të ndryshojnë në varësi të kushteve dhe rrethanave të lidhura me individin që pyetet. Ndaj, konkluzioni që Gjykata Kushtetuese arrin më vonë sa i takon proprocionalitetit të ndërhyrjes nuk mund të jetë i saktë edhe për proporcinalitetin e ndërhyrjes në privatësi, sa kohë pyetjet që mund ti drejtohen një personi nuk mund të parashikohet plotësisht apo të dihen të gjitha paraprakisht.
Teksa analizon respektimin e kritereve të proporcionalitetit në nenet 81 e në vijim të vendimit të tij, Gjykata Kushtetuese vlerëson se meqënëse nënshtrimi ndaj testit të poligrafit ka qëllim marrjen e sa më shumë të dhënave për integritetin, moralin, aftësitë nervo-psikike, testi duhet të justifikojë qëllimin e tij. Por ky argument i Gjykatës Kushtetuese është i cunguar pasi nuk analizohet korrelacioni midis pajisjes dhe si arrin kjo pajisje të identifikojë njerëz me integritet ose jo, njerëz me moral ose jo, aftësitë nervo-psikike (për këto të fundit kërkohet minimalisht konsultim apo ekspertim nga mjekë të fushës së neurologjisë dhe psikiatrisë). Për më tepër, gjatë seancës dëgjimore të zhvilluar nga Gjykata Kushtetuese, pyetjeve të drejtuara nga anëtarët e gjykatës ndaj subjekteve të interesuar (KM, Kuvendi, Prokuroria e Posaçme) se sa i saktë është poligrafi, përfaqësuesit e këtyre subjekteve refuzuan ti japin përgjigje duke deklaruar se këtë e dinë ekspertët. Ndaj pikëpyetja kryesore që shtrohet është, si mund ta justifikojë këtë qëllim për matjen e besueshmërisë njerëzore një makineri? Kjo analizë ishte e nevojshme, aq më tepër kur sipas Prokurorisë së Posaçme, kandidatët për drejtues dhe hetues në BKH që i ishin nënshtruar testit kishin dalë kryesisht me rezultate negative, pra me përgjigje jo të vërteta, dhe sërisht ishin kualifikuar. Natyrshëm lind një pyetje tjetër e lidhur me kriteret e proporcionalitetit dhe që nuk mori përgjigje në vendimarrjen e Gj.Kushtetues; “përsë është i domosdoshëm poligrafi”?
Gjithashtu, interpretimi që Gjykata bën se “Moskalimi me sukses i testit të poligrafit, në rastet kur kriteret e vlerësimit të pasurisë dhe kontrollit të figurës janë përmbushur nga kandidatët, nuk mund të përbëjë kriter skualifikimi në procesin e emërimit për drejtues dhe hetues të BKH-së” është i njëjtë me qëndrimin që SPAK mbajti në këtë gjykim kushtetues. Por praktikisht, ky qëndrim nuk mund të konsiderohet interpretim i normës por përbën krijimin e një norme të re juridike, e cila nuk është në kompetencë të SPAK dhe as të Gjykatës Kushtetuese por vetëm të Kuvendit. Ky i fundit ka parashikuar në ligjin nr.95/2016, si kriter emërimi, si për kandidatët drejtues apo hetues të BKH-së, të japin pëlqimin për t’iu nënshtruar testit të poligrafit. Informacioni në raportin e përgatitur nga specialisti i poligrafit mbahet në konsideratë gjatë procesit të përzgjedhjes. Praktikisht ligji lë në diskrecion të Komisionit Përzgjedhës për të vlerësuar shkallën në të cilën mbahet në konsideratë informacioni i përgatitur nga specialisti i poligrafit për kandidatët për drejtues ose hetues të BKH-së.
Në paragrafin 92, fq.30 thuhet: “Gjykata konstaton se në Rregulloren për ekzaminimet e poligrafit të depozituar nga SPAK përcaktohet se informacioni i marrë… trajtohet si “tepër sekret” dhe i vihet në dispozicion vetëm personit të autorizuar (KLP-së, drejtuesit të Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtorit të BKH-së) se “në asnjë lloj situate, raporti nuk u jepet personave të tjerë”. KShH ka ngritur çështjen se zbatimi i kësaj rregulloreje të miratuar nga SPAK, ka cënuar parimin e procesit të rregullt ligjor, ndërsa në paragrafin 94, faqe 30 të vendimit të Gjykatës Kushtetuese thuhet: “Nga sa më lart, nisur nga parashikimi i nenit 35 pika 3 të Kushtetutës, Gjykata vlerëson se kandidati që i nënshtrohet testi të poligrafit pas kërkesës së tij duhet të ketë të drejtën të njihet me rezultatet e marra në testin e poligrafit”. Në fakt deri ditën e shqyrtimit të çështjes nga Gjykata, ky parim (procesi i rregullt ligjor) nuk është zbatuar, gjë që u pohua dhe nga përfaqësuesi i SPAK-ut. Përse Gjykata i është shmangur konkluzioneve sa i takon cënimit të këtij parimi aq më tepër që qoftë edhe indirekt, teksa kjo është pranuar edhe nga përfaqësuesi i SPAK-ut?! Gjithashtu, nëse ligji do të plotësonte kriterin e qartësisë, përcaktueshmërisë dhe parashikueshmërisë, një organ i rëndësishëm si SPAK nuk do të miratonte një rregullore që i mohon të drejtën kandidatit për t’u njohur me rezultatet e poligrafit. Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese është mjaftuar me faktin se objekt i gjykimit kushtetues nuk mund të jenë rregulloret, duke anashkaluar një analizë objektive dhe të plotë pikërisht të qartësisë të ligjit objekt kundërshtimi, si element tepër i rëndësishëm i parimit të sigurisë ligjore.
Dy prej anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, kanë ndarë mendimin në pakicë për këtë vendimmarrje duke u shprehur se paralelisht me togfjalëshin “edhe me ndihmën e mjeteve të posaçme” duhej shfuqizuar dhe togfjalëshi që i paraprin kësaj shprehjeje “testeve të tjera” që parashikohet në nenin 38 pika 2 të ligjit të vettingut në polici (shih pikën 1, f. 41). Pakica në pikën 8 të f. 43 shprehet se është në një mendim me shumicën se shprehja “teste të tjera” nuk nënkupton nënshtrimin e punonjësit, ndaj tesit të poligrafit…” por shprehja tjetër me ligj “edhe me ndihmën e mjeteve të posaçme me qëllim vlerësimin e besueshmërisë së punonjësit dhe deklarimeve personale”. Pakica në mendimin e saj shfaq gjithashtu elementë të kontradiktoritetit dhe argumentit të sforcuar, sepse, ashtu si shumica, nuk shprehet ç’duhet kuptuar me përdorimin e mjeteve të posaçëm që synojnë të vlerësojnë besueshmërinë e punonjësit. KShH ka argumentuar se me shprehjen “besueshmërinë e punonjësit”, duhet kuptuar poligrafi.
Këto janë vetëm disa mendime dhe objeksione ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, veç çështjeve që trajtohen në kuadrin e këtij shkrimi, ka edhe probleme të tjera të rëndësishme që mund të jenë objekt kritike apo analize më të thelluar. Është fjala për çështje parimore që në vendimin e Gjykatës Kushtetuese nuk argumentohen ndërsa pjesërisht anashkalohen.
[1] https://www.legalethicstexas.com/Ethics-Resources/Rules/Code-of-Conduct-for-United-States-Judges/Canon-1/A-Judge-Should-Uphold-the-Integrity-and-Independen