Origjina e “Vettingut“ dhe përvoja e Serbisë ,ekstrakt nga artikulli “Vettingu: përvoja ndërkombëtare, zgjidhjet dhe sfidat”
Nensi Sinanaj, Bachelor në drejtësi /Technische Universität Dresden
Origjina e vettingut
Kur flasim për vettingun si një folje që përdoret në fushën e shëndetit të kafshëve, ne kthehemi në fund të shekullit të 17të. Duke iu kthyer kësaj periudhe ne mund të gjejmë një përdorim shumë të vazhdueshëm të kësaj fjale specifikisht sa i takon garave të kuajve. Për të verifikuar nëse një kalë ishte i gatshëm të merrte pjesë në një garë, vetë kafsha çohej tek mjeku përkatës Veterineri që të vettohej. Vite më pas, në fillim të shekullit të 19të ky term u përdor si një sinonim i vlerësimit të dickaje apo dikujt. Fillimisht përdorej më shumë në fushën e shërbimit ushtarak, por me kalimin e kohës termi u përdor në perspektivën gazetareske kur artikujt vettoheshin përpara se të botoheshin. Megjithatë, ditët e sotme, përdormi i kësaj fjale mund të shihet në dy perspektiva të ndryshme. Jo vetëm politikanët, por edhe institucionet apo personat në fushën gjyqësore mund të vettohen. Në perspektivën e parë ne kuptojmë që vettingu në perspektivën ligjore i shërben më shumë idesë së përcaktimit të rregullave specifike për rivlerësimin kalimtar të të gjithë subjekteve të rivlerësimit, për të ri-vendosur funksionimin e duhur të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së vërtetë të sistemit gjyqësor, si dhe besimin e publikut tek institucionet siç është parashikuar në Nenin 1 të Ligjit për vettingun. Subjektet e rivlerësimit në këtë kontekst përfaqësojnë të gjithë personat që do të ri-vlerësohen sipas Nenit 179b të Kushtetutës. Së dyti dhe më zakonisht kjo fjalë mund të shihet edhe si perspektiva negative nëse nuk po kërkojmë atributet mbështetëse por faktorët që mund të shkaktojnë eliminimin e një prej personave të përmendur më lart.
Sa të drejta ishin procedurat e vettingut në Serbi?
Sipas raportit të paraqitur lidhur me ecurinë e Këshillit Prokurorial të Shtetit në Serbi (SPC), ka pasur një mungesë të arsyetimit të vendimmarrjes së atyre prokurorëve që nuk u konfirmuan në detyrë pas vettingut. Shumë prej tyre nuk iu dha një arsye e përshtatshme lidhur me shkakun pse ata nuk mund të qëndronin në detyrë. Për më tepër, sa i takon një prej kushteve të vettingut, profesionalizmit, përsëri kishte një mungesë të dokumenteve që të tregonin se kandidatët nuk ishin mjaftueshëm “profesionalë” që të mbanin këtë funksion. Shumë prej vendimeve që u dhanë u justifikuan me idenë se kishte vetëm një numër të caktuar pozicionesh. Në fund, kandidatët i përmbushnin kushtet e nevojshme për të marrë pozicionet e tyre, por pretendimet e tyre nuk u dëgjuan nga gjykata.
Në këtë rast, ne mund të afirmojmë se ka pasur shkelje të rënda konkretisht në katër orientime. Duke filluar me menjëhershmërinë në kuptimin procedural u konfirmua se nuk ishte mbajtur as edhe një seancë e vetme. Megjithatë ka pasur intervista të ndryshme të mbajtura nga përfaqësuesit e institucioneve. Gjithashtu, palët nuk u njoftuan për seancat dhe as nuk iu dha ndonjë informacion në lidhje me kohëzgjatjen. Procesi i ndershëm dhe ndalimet u shkelën gjithashtu, në kuptimin që disa prej të dhënave që u mblodhën nuk ishin objekt i qëllimit të procesit. Sigurisht që për hir të procesit këto të dhëna nuk kërkoheshin dhe nuk ishin të nevojshme absolutisht. Ajo që është gjithashtu surprizuese është fakti që përfaqësuesve iu tha se seancat nuk do të ishin publike edhe pse rregullat parashikojnë të kundërtën. Së fundmi parimi et altera pars u shkel gjithashtu për shkak të faktit se shumë prej përfaqësuesve nuk u njoftuan për të marrë pjesë dhe si të tillë ata nuk mund të shpreheshin në lidhje me çka ishte paraqitur në gjykatë nga pala tjetër.
Sa i përket kërkesave që kandidatët të mbanin detyrën e tyre: efikasiteti, kualifikimet, kompetenca dhe integriteti, përmbushja e tyre ishte e kënaqshme. I vetmi rast për të gjetur mangësi ishte efikasiteti. Siç u tha edhe më parë, vettingu mund të shihet edhe nga një këndvështrim negativ kur kjo fjalë mund edhe të shihet sikur dikush nuk po kërkon për atributet mbështetëse por për faktorët që mund të shkaktojnë eliminimin e një prej personave të përmendur më parë. Për këtë arsye, ne mund të arrinim në përfundimin SPC më shumë po kërkonte për informacione që do ta dëmtonin kandidatin dhe do ta bënin më të vështirë për ta përmbushjen e kushteve. Gjithashtu nuk kishte një mbështetje për kandidatët për të provuar të kundërtën duke paraqitur provat që mund të përmirësonin situatën e tyre. SPC vendosi për 126 raste të prokurorëve të pazgjedhur (pakonfirmuar) nga të cilët 115 u refuzuan. Duke e ditur këtë, SPC nuk mund të justifikonte vendimin për 115 kandidatë duke u bazuar vetëm në prezumimin se kërkesat e vettingut nuk janë përmbushur, dhe duke mos u dhënë atyre një shans për të mbështetur mbrojtjen e tyre duke paraqitur prova. Kjo do të thotë se, SPC realisht nuk po i kushtonte vëmendje vendimeve që u morën nga kandidatët, por vetë kandidatit.