Vijon nisma e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit për Reformën në Drejtësi në Qytetin e Tiranës
Në datën 21 Mars 2017, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vijoi në qytetin e Tiranës nismën e ndërgjegjësimit dhe aktivizimit të shoqërisë civile për avancimin e Reformës në Drejtësi. Në këtë kuadër, në ambientet e Hotel Tirana, u realizua një forum i hapur diskutimi me përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, përfaqësues të mediave, etj. i cili kishte për qëllim ndërgjegjësimin e qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile për nevojat dhe përfitimet që do të kenë qytetarët nga kjo reformë, risitë e reformës në drejtësi, zhvillimet aktuale parë nga këndvështrimi i shoqërisë civile, rëndësia e faktorit njeri në të gjithë proceset e reformimit, nxitjen e aktivizimit qytetar, si dhe marrjen e perceptimeve/nevojave të tyre për projektligje të rëndësishme që janë në fokus të kësaj reforme. Në forum u bë një prezantim i veprimtarisë dhe arritjeve të deri më tanishme të Koalicionit “Drejtësi Për të Gjithë” në drejtim të avancimit dhe përmirësimit të kuadrit ligjor në proces reformimi.
Në këtë aktivitet dhanë kontributin e tyre Znj. Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH, Z. Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor pranë KShH, Znj. Vjollca Mecaj, Eksperte dhe Z. Milaim Demnushaj, përfaqësues i Koalicionit “Drejtësi Për të Gjithë”. Rreth 20 përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile, kontribuuan në mënyrë aktive në diskutimet e nxitura nga ekspertët, sa i takon problematikave me të cilat përballet sistemi i drejtësisë dhe ndikimet negative që ato pas sjelllin në jetën e qytetarëve të vendit. Aktiviteti i sipërpërmendur u pasqyrua mediatikisht në “Report TV ” dhe “Inn Tv”, në Tiranë, ku përfaqësuesit e KShH-së u bënë thirrje të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë, të rrisin aktivizimin dhe pjesëmarrjen e tyre në konsultimin e paketës ligjore të drejtësisë që do t’i nënshtrohet në vazhdimësi procesit reformues.
Nga diskutimet e forumit dolën disa konkluzione të përgjithshme, si më poshtë:
- Ka dhe mund të ketë mendime të ndryshme për reformën, por siç u përmend në këtë forum, miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë dhe fillimi i zbatimit të kësaj reforme, është domosdoshmëri që vjen si nevojë e qytetarëve të vendit tonë.
- Asistenca e partnerëve ndërkombëtarë në drejtim të hartimit dhe miratimit të reformës, por dhe zbatimit të saj, ishte dhe vazhdon të jetë faktor tepër i rëndësishëm. Në këtë drejtim, jo më pak i rëndësishëm ka qenë dhe vazhdon të jetë roli dhe kontributi i aktorëve të shoqërisë civile. Vigjilenca e organizatave të shoqërisë civile duhet të jetë maksimale, ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm që lidhet me këtë reformë
- Vendi po përballet me një reformë të thellë, që përfshin krejt sistemin e drejtësisë. Njohja e saj do të jetë graduale dhe zbatimi në praktikë do të kërkojë kohë. Gjithashtu, duhet pranuar se ajo do të ndeshet edhe me vështirësi. Me rendësi është avancimi i saj.
Në kuadër të kësaj nisme, KShH ka organizuar një sërë forumesh në auditorë të ndryshëm në disa qytete të vendit, përkatësisht në Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Vlorë dhe Elbasan, me synim informimin e përfaqësuesve të organizatave të shoqërisë civile, institucioneve shtetërore në nivel vendor, median lokale dhe shikuesit e saj, mbi ndryshimet që sjell paketa e ndryshimeve kushtetuese dhe 6 ligjeve organike të reformës në sistemin e drejtësisë, duke u ndalur në mënyrë të veçantë tek risitë kryesore të reformës dhe përfitimet që pritet të kenë qytetarët nga kjo reformë. Gjithashtu, nëpërmjet realizimit të këtyre takimeve KShH ka synuar të nxisë debatin publik dhe profesional, mbi nevojat për që duhen adresuar në paketën ligjore të 27 projektligjeve të reformës në drejtësi që janë në proces shqyrtimi pranë Komisionit të Ligjeve, për 14 prej të cilave KShH ka dhënë ekspertizë ligjore me qëllim përmirësimin e tyre.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Promovimi i aktivizimit dhe pjesëmarrjes së publikut dhe shoqërisë civile në Reformën e Sistemit të Drejtësisë”, mbështetur nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta në Tiranë, në kuadër të programit MATRA (për Shtetin e së Drejtës)