Të njohim Kodin Penal


-Nga cila moshë fillon përgjegjësia penale?

Ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së krimit ka mbushur moshën 14 vjeç, ndërsa personi që kryen kundravajtje ka përgjegjësi kur ka mbushur moshën 16 vjeç.

-A ka raste që personi kryen vepër penale por nuk përgjigjet penalisht?

Po, sipas Kodit Penal, nuk ka përgjegjësi penale personi që në kohën e kryerjes së veprës penale vuante nga një turbullim psikik ose neuropsikik që ka prishur tërësisht ekuilibrin e tij mendor dhe për pasojë nuk ka qenë në gjendje të kontrollojë veprimet ose mosveprimet e tij dhe as të kuptojë se ka kryer vepër penale.

-A ka përgjegjësi personi që heq dorë nga kryerja e veprës penale?

Personi që me vullnetin e tij dhe në mënyrë përfundimtare heq dorë nga kryerja e veprës penale, me gjithë mundësinë që ka për kryerjen e saj, nuk ka përgjegjësi penale.

-Në cilat raste jepet dënimi me burgim të përjetshëm?

Dënimi me burgim të përjetshëm jepet me vendim të gjykatës për kryerjen e një krimi të rëndë. Ky dënim nuk jepet ndaj personave që në kohën e kryerjes së krimit, nuk kanë mbushur moshën 18 vjeç si dhe për gratë.

-A mundet gjykata të ndalojë drejtimin e automjetit nga personi përkatës (shoferi)?

Gjykata ka të drejtë të vendosë ndalimin e një personi për të drejtuar automjetin për një kohë nga një deri në pesë vitë, kur çmon se kjo masë do të këtë efekte parandaluese.

-A mundet gjykata të vendosë humbjen e përgjegjësisë prindërore?

Sipas Kodit Penal humbja e përgjegjësisë prindërore vendoset nga gjykata ndaj personit që e ushtron këtë përgjegjësi, kur ai dënohet si autor ose bashkëpunëtor në një vepër penale ndaj fëmijës ose si bashkëpunëtor me fëmijën në kryerjen e një vepre penale.

-A mundet që i mituri të përjashtohet nga dënimi?

Po, mund të përjashtohet nga dënimi në ato raste kur gjykata çmon se rrezikshmëria e veprës penale ka qenë e paktë dhe rrethanat konkrete të kryerjes së saj janë lehtësuese dhe sjellja e mëparshme e të miturit ka qenë e mirë.

-A ka të drejtë gjykata të vendosë lirimin me kusht të dënuarit?

Po, i dënuari me burgim mund të lirohet me kusht nga vuajtja e dënimit vetëm për arsye të veçanta, nëse me sjelljen dhe punën e tij tregon se me dënimin e vuajtur është arritur qëllimi për edukimin e tij si dhe të ketë vuajtur:

  1. Jo më pak se gjysmën e dënimit të dhënë për kundravajtje penale

  2. Jo më pak se dy të tretat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi gjer në 5 vite

  3. Jo më pak se tre të katërtat e dënimit të dhënë për krime me masa dënimi mbi 5 vite deri në maksimumin e parashikuar në ligj me përjashtim të personave që kanë kryer krime mjaft të rrezikshme që shprehimisht ndalohet zbatimi i lirimit me kusht.

Përsa i përket personave të dënuar me burgim të përjetshëm mund të lirohen me kusht vetëm nëse kanë vuajtur jo më pak se tridhjetë e pesë vjet burgim dhe gjatë vuajtjes së dënimit të kenë mbajtur sjellje shembullore që tregon se i është arritur qëllimit të dënimit për edukimin e tyre.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2019 >
November
  • No Events
TOP