GJETJET DHE KONKLUZIONET PARAPRAKE
MBI MONITORIMIN E PROCESIT TË ZGJEDHJEVE PËR ORGANET E QEVERISJES VENDORE TË DT. 30 QERSHOR 2019
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) është një ndër organizatat vendase që ka monitoruar pjesërisht të gjitha proceset zgjedhore që janë zhvilluar në vendin tonë nga viti 1996.
115 vëzhgues afatshkurtër dhe afatgjatë të KShH-së, të akredituar nga KQZ, vëzhguan zgjedhjet të qeverisjes vendore të dt. 30 Qershor 2019, në 8 qytete të vendit, përkatësisht në Tiranë, Shkodër, Durrës, Elbasan, Fier, Vlorë, Gjirokastër dhe Korçë. Ky proces monitorimi u realizua në kuadër të zbatimit të nismës “Garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme perms monitorimit të Zgjedhjeve Vendore në Shqipëri – 30 Qershor 2019”, me mbështetjen financiare të Republikës Federale të Gjermanisë.
KShH ka realizuar një monitorim të pjesshëm të procesit parazgjedhor, të ditës së votimit dhe procesit të numërimit të votave. Nga 5417 qendra votimi të ngritura në shkallë vendi, kemi vëzhguar vetëm 182 qendra votimi ose 3.4% të numrit total. Monitorimi i procesit të numërimit u shtri në 12 KZAZ nga 90 të tilla që janë në shkallë vendi. Rrjedhimisht, gjetjet dhe konkluzionet e pasqyruara në këtë raport nuk pasqyrojnë një tablo të plotë dhe gjithëpërfshirëse të procesit. Megjithatë, kemi mendimin se këto dhëna mund të shërbejnë në të ardhmen për një zbatim më rigoroz të ligjit, madje edhe për rekomandime të lidhura me ndryshime në Kodin Zgjedhor, duke patur parasysh edhe rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Sa i takon procesit parazgjedhor, rezulton se njoftimi me shkrim i zgjedhësve në banesa nga njësitë e qeverisjes vendore nuk është realizuar brenda afateve ligjore, ndërkohë që përfaqësuesit e njësive u shprehën se nuk dispononin fondin e nevojshëm që duhej të akordohet nga Ministria e Brendshme. Në shumicën dërrmuese të KZAZ-ve të monitoruara rezulton se u respektuan afatet ligjore për afishimin e listave përfundimtare[1].
Fushata zgjedhore u zhvillua në një situatë tepër të polarizuar politikisht dhe në disa raste u shoqërua me veprime të dhunshme që cënuan rregullin dhe krijuan pengesa në administrimin e procesit zgjedhor. Nuk është në misionin e KShH-së të vlerësojë dorëzimin e mandateve parlamentare nga deputetët e opozitës. Mgjth, kjo ndikoi në krijimin e një atmosfere të tensionuar politike dhe u shoqërua me incidente të dhunshme, të cilat u përshkallëzuan disa ditë para votimit. Gjithashtu, si rezultat i kësaj situate, në 31 bashki nuk pati kundërshtarë opozitarë.
KShH vlerëson se subjektet zgjedhore të regjistruara për zgjedhjet e qeverisjes vendore, duhet të evidentonin gjatë fushatës se çfarë kriteresh ndoqën për kandidaturat e përzgjedhura prej tyre për kryetar Bashkie osë anëtarë të K.Bashkiakë. Kjo jo vetëm në suazën e parimit të transparencës por edhe për faktin se tek ne vazhdon të zbatohet sistemi proporcional rajonal me lista të mbyllura.
KShH ka monitoruar pjesërisht edhe veprimtarinë e organit më të lartë të administrimit zgjedhor, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Në kushtet e mospërfaqësimit të forcave opozitare në organet e tjera zgjedhore, KQZ u përball me një volum të madh dhe vështirësi në veprimtarinë e tij. Megjithatë, edhe në këto zgjedhje, vlen të evidentohet moszbatimi rekomandimit të OSBE/ODIHR për depolitizimin e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor përfshi KQZ-në. Në vendimarrjet e KQZ-së, të cilat janë bërë në disa raste objekt ankimi në Kolegjin Zgjedhor, rezulton se janë publikuar në faqen e KQZ-së të pashoqëruara me mendimin në pakicë ose atë paralel të anëtarëve të tij. KShH vlerëson se, nuk është as e rregullt dhe as etike që zëdhënësi i këtij organi të kundërshtohet nga kryetari i KQZ-së për të dhënat e bëra publike, gjatë ditës së votimit dhe procesit të numërimit. Kjo minoi parimin e transparencës karshi publikut dhe krijoi situata konfuzioni tek qytetarët. Gjithashtu, vlerësojmë se KQZ dhe Bordi i monitorimit të medias duhet të ishin më pro-aktiv dhe vigjilent ndaj cenimit të dispozitave të Kodit Zgjedhor që parashikon afatet e fillimit të fushatës zgjedhore si edhe afatet që ndalojnë publikimin e rezultateve të sondazheve zgjedhore.
Në ndryshim nga ditët e fundit të procesit parazgjedhor që u shoqëruan me incidente të dhunshme nga disa protestues ndaj KZAZ-ve dhe QV-ve në disa qytete, dita e votimit u karakterizua nga një klimë e qetë, pa incidente të dhunshme brenda apo jashtë ambienteve të QV.
Nga të dhënat e pjesshme që KShH ka deri në këto momente, rezulton se rreth 25% e QV të monitoruara janë hapur me vonesë, për shkaqe të lidhura me mangësi organizative, gabime në kryerjen e procedurave ligjore nga komisionerët, zhvendosjet e vendeve të qendrës së votimit, ardhjet me vonesë të disa komisionerëve etj.
Vëzhguesit e KShH-së nuk kanë patur kufizime të aksesit në qendrat e votimit, por në disa nga rastet kur janë depozituar vërejtje me shkrim, iu janë krijuar pengesa në protokollimin e tyre ose ka patur reagime jo etike të komisionerëve. Edhe pse në minorancë, ka patur raste kur vërejtjet e vëzhguesve janë marrë parasysh dhe kanë parandaluar shkeljet e adresuara. Shqetësues është fakti se në qytetin e Durrësit, vëzhguesi i KShH-së është përballur me kërcënime intimiduese nga një vëzhgues partiak kur ka bërë vërejtje me shkrim ndaj KQV.
Vëzhguesit e KShH-së kanë vërejtur prezencën e personave të paautorizuar, në ambientet e brendshme të QV dhe në ambientet e jashtme por brenda perimetrit të godinës ku ishin vendosur këto QV. Kryesisht në oborret e jashtme të shkollave, janë vërejtur grupe të të rinjve të identifikuar si përfaqësues të partive politike, të cilët orientonin zgjedhësit apo thjesht mbikëqyrnin zgjedhësit që hynin dhe dilnin nga këto godina. Në qytetin e Gjirokastrës, rezulton se persona të paautorizuar prezantoheshin si vëzhgues partiak dhe informohen për numrin zgjedhor të zgjedhësit që voton, gjë që nuk është e lejueshme sepse në këtë mënyrë kërkohen të dhëna për të identifikuar ata që votojnë dhe ata që nuk votojnë. E njëjta gjë ka ndodhur edhe në qytetin e Tiranës, në QV. 18311.
Kemi mendimin se jo të gjithë anëtarët e KQV-ve në qytetet ku është shtrirë monitorimi, janë trajnuar me cilësi dhe në kohën e duhur. Kjo ka ndikuar në disa raste në shkeljen e fshehtësisë së votës, lejimin e votimit familjar në rreth 8% të totalit të QV të vëzhguara, mos vënien e vizës në listën e zgjedhësve tek të dhënat e zgjedhësit që pajisej me fletë votimi, në mos timbrosjen e ndonjë votuesi, mosrespektimi i procedurave ndaj zgjedhësit që për arsye fizike nuk mund të votojë vetë por ndihmohet nga një shoqërues, etj. Mgjth këto të dhëna janë paraprake dhe do të konkretizohen me shembuj në raportin përfundimtar të monitorimit të KShH-së.
Vëzhguesit e KShH-së kanë raportuar pjesëmarrje të ulët të zgjedhësve në votime në disa QV apo edhe rënie të ndjeshme të fluksit të votuesve në disa QV të tjera. Në këtë drejtim, KShH nuk ka mbledhur apo analizuar të dhëna statistikore të cilat krijojnë një tablo të qartë apo ndikimin që ka patur situata e paprecedentë në të cilën u zhvilluan këto zgjedhje. Mgjth, kemi mendimin se rastet e intimidimit të zgjedhësve si për të votuar dhe për të mosvotuar, incidentet e dhunshme, retorikat joetike me elementë të gjuhës së urrejtes dhe akuzat e ndërsjellta politike të përcjella vazhdimisht me anë të medias tek qytetarët, gjatë periudhës parazgjedhore, kanë ndikuar në humbjen e besimit të qytetarëve për përmbushjen e interesit të tyre më të lartë duke ushtruar të drejtën kushtetuese themelore të votës.
Mbyllja e QV në rang vendi është realizuar kryesisht në orarin e përcaktuar, përkatësisht në 19.00. Në kushtet e mungesës së depozitimit të propozimeve për anëtarë të GNV-ve nga ana e forcave opozitare, KQZ ka ndjekur të njëjtën praktikë si në rastin e KZAZ-ve dhe KQV-ve nëpërmjet emërimit kryesisht të personave që kanë shprehur interesin ndaj thirrjes së publikuar. KShH ka vërejtur se ka patur vonesa dhe mosrespektim të afateve ligjore në ngritjen e grupeve të numërimit të votave (VNV)[2]. Në shumicën e KZAZ-ve të monitoruara, trajnimi i tyre u realizua në një hark të shkurtër kohor 15-45 min.
Procesi i numërimit ka nisur kryesisht me vonesa vetëm para pak mesantës ose pas saj. Procesi ka filluar dhe vijuar me ritme të ngadalta. Përveç faktorëve të evidentuar më sipër, këtu ka ndikuar edhe lodhja sidomos gjatë orëve të natës e komisionerëve të GNV-ve si dhe temperaturat e larta në ambientet e VNV-ve. Për këto arsye ka patur edhe ndërprerje të procesit apo zëvendësim të GNV-ve që kanë operuar me turne. Ritmet e procesit janë përshpejtuar disi në mesditën dhe orarin e mbasdites të dt.1 Korrik në disa KZAZ, çka mundësoi përfundimin e procesit të votimit për kryetar bashkie në Shkodër, Durrës dhe Elbasan.
Vëzhguesit e KShH-së kanë konstatuar përqindje të ndryshme të votave të pavlefshme në raport me ato të vlefshmet, e cila ka variuar mesatarisht në 7-12% të fletëve totale të votimit të numëruara deri në momentin e raportimit. Shkaqet kryesore të pavlefshmërisë raportohen të jenë për shkak të vizatimeve ose shënimeve të bëra jashtë kutizës së kandidatit apo shënimit në më shumë se një kutizë.
Raporti përfundimtar, me gjetjet dhe konkluzionet më të plota të monitorimit të procesit zgjedhor nga vëzhguesit e KShH-së do të publikohet përafërsisht pas një muaji.
[1] Në 2 qendrat e vendosura në zonat periferike të qytetit të Shkodrës si Gur i Zi dhe Rrenc nuk është realizuar afishimi i listave përfundimtare të zgjedhësve.
[2] Teksa vëzhguesit e KShH-së prisnin të fillonin procesin e numërimit të votave, në disa prej KZAZ-ve të monitoruara, grupet e numërimit rezultonin të paplotësuara ose të patrajnuara. GNV-të në qytetin e Durrësit, përkatësisht në KZAZ nr. 24 janë ngritur rreth orës 07.41 të mëngjesit të datës 1 Korrik 2019, kohë në të cilën është realizuar dhe trajnimi i tyre. GNV-të në rang vendi janë përbërë nga 3-4 anëtarë, ndërkohë që në KZAZ nr. 2 në qytetin e Shkodrës është konstatuar se 7 GNV-të e ngritura përbëhen nga 2 persona.