Disa ditë më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit publikoi Raportin mbi praktikat e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Sipas këtij Raporti, gjatë vitit 2019 mungesa e ndëshkimit mbeti një problem serioz, megjithëse qeveria bëri përpjekje më të mëdha për ta adresuar atë. Ndjekja penale dhe posaçërisht dënimi i zyrtarëve që kryenin abuzime ishte sporadik dhe kontradiktor. Zyrtarët, politikanët, gjyqtarët dhe personat me interesa të fuqishëm biznesi shpesh ishin në gjendje të shmangnin ndjekjen penale.
Kontributi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH) është përfshirë në elaborimin e tematikave të rëndësishme të këtij Raporti, siç janë:
c) Tortura dhe trajtimi ose dënimi çnjerëzor ose degradues
Gjatë muajit Gusht, KShH ndërmori 4 misione monitorimi bazuar në pretendimet për dhunë ndaj të burgosurve. Në 2 raste KShH konstatoi prova dhune. KShH i adresoi gjetjet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në sistemin e Burgjeve (SHKBB) dhe Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) hetuan pretendimet, por prokuroria zgjodhi të mos ngrejë akuza.
Në kontekstin e kushteve të vështira fizike në burgje dhe në paraburgim, mbipopullimi është një problematikë e konstatuar në disa ambiente. Pas një vizite në burgun e Zaharisë në Krujë, në qershor, KShH raportoi se në institucion ishin akomoduar 294 të burgosur, 114 mbi kapacitetin e tij zyrtar. KShH ja adresoi këto të dhëna Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), i cili vendosi se shumë nga të burgosurit, ndaj të cilëve gjykata ka urdhëruar shtrimin e përkohshëm në një institucion psikiatrik, janë burgosur në mënyrë të gabuar.
Përsa i përket monitorimit të pavarur, KShH ka raportuar se në burgjet Peqin, Tiranë dhe Korçë, janë vendosur limite nga pjesëtarët e stafit psikologjik dhe mjekësor në aksesin e KShH-së në dokumentacion, për të cilat zyrtarët kanë thënë se kishin për qëllim mbrojtjen e konfidencialitetit.
f) Ndërhyrje arbitrare ose e paligjshme në privatësinë, familjen, shtëpinë ose korrespondencën
KShH mori ankesa nga banorët në lagjen ‘Bregu i Lumit’ në Tiranë në lidhje me prishjen e 38 ndërtesave. Ankesat janë ngritur ndaj Inspektoriatit Kombëtar për Mbrojtjen e Territorit (IKMT) dhe Agjencisë për Legalizim, Urbanizim dhe Integrim të Ndërtimit Informal (ALUIZNI), e cila është përgjegjëse për koordinimin e legalizimit, dhe pagesën e kompensimit për shkak të ndërtimeve të realizuara pa leje ose titullin e duhur. Që nga tetori prokurorët po hetonin rastin.