Para disa ditëve, opinioni i gjerë publik u njoh me një akt me rrezikshmëri të theksuar shoqërore: “I riu 17 vjeçar, F.P. vrau me armë zjarri 65 vjeçarin L.L, në fshatin Manati të Lezhës.
Sipas medias dhe njoftimeve të organeve të Policisë së Shtetit, kryerja e këtij krimi ka lidhje me vrasjen në vitin 2009, nga N.L, të babait të autorit të krimit aktual. Ai u dënua përfundimisht me 7 vjet e 6 muaj burgim për dy vepra penale “vrasje me dashje” dhe “armëmbajtje pa leje”. Në fakt, sipas këtyre të dhënave, ai ekzekutoi vetëm 4 vite burgim.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) pa hyrë në detajet e zhvillimit të procesit gjyqësor të vitit 2009 dhe as të dënimit penal, vëren se reduktimi i theskuar i masës së dënimit (4 vjet) mund të jetë një nga elementët që ka dobësuar besimin e familjarëve të viktimës tek sistemi i drejtësisë penale duke ndikuar apo nxitur 17 vjeçarin në kryerjen e krimit.
Autori i këtij krimi, sipas legjislacionit konsiderohet i mitur, ndërkohë që ai siguroi armën e zjarrit për kryerjen e këtij krimi. Forca e zakonit e kultivuar nga persona të veçantë apo rrethi i ngushtë familjar ende i prirur për hakmarrje, krijuan tek i mituri F.P. “detyrimin” kanunor për gjakmarrje.
KShH edhe më parë ka reaguar publikisht ndaj rasteve të tilla duke sugjeruar dhe bërë thirrje për një vlerësim më të madh jo vetëm nga organet përkatëse shtetërore, por nga e gjithë shoqëria, sidomos në zonat ku raste të tilla kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Është shqetësuese dhe e papranueshme që përgjatë tri dekadave të demokracisë dhe edhe në ditët e sotme ka fëmijë të ngujuar në shtëpi nga frika e gjakmarrjes. Ata nuk frekuentojnë shkollën si të gjithë fëmijët e tjerë.
KShH vlerëson se ka ende nënvleftësim ndaj këtij fenomeni. Ndërgjegjësimi për fenomenin dhe masat e tjera parandaluese janë të dobëta. Për KShH-në forca e shtetit dhe e ligjit, në këtë drejtim, është gjithashtu e dobët. Ka raste që nuk tregohet vëmendje e veçantë ndaj sinjalizimeve apo denoncimeve që përmbajnë qoftë edhe të dhëna indirekte mbi mundësinë e kryerjes së krimeve të tilla.
Duke shpresuar që reforma në sistemin e drejtësisë do të ndikojë pozitivisht edhe në këtë drejtim, KShH rithekson se masat parandaluese janë të domosdoshme ndërkohë që sipas Kodit tonë Penal, vrasja për gjakmarrje dënohet me burgim të përjetshëm.