Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke marrë shkas nga disa të dhëna të publikuara në media si dhe ankesave të banorëve të Njësisë Administrative Bërxullë se në zbatim të projektit të ndërtimit të aksit Thumanë-Kashar do të prishen 20 banesa private dhe 23 ha tokë, vlerësoi të nevojshme të ushtrojë një mision monitorimi në terren. Gjatë këtij takimi u mor takim me disa banorë të kësaj njësie që prej disa muajsh për këtë shkak vazhdojnë të jenë në protestë, si dhe me drejtuesit e kësaj njësie.
Përballë një koncesioni të panjohur për banorët, për ndërtimin e autostradës Thumanë- Kashar, vërehet mungesë transparence, konsultimi dhe cënim i parimit të sigurisë juridike të banorëve.
KShH vëren se së pari banorët nuk janë njoftuar paraprakisht dhe as konsultuar për këtë projekt zhvillimor me interes publik si dhe nuk disponojnë asnjë informacion mbi identitetin e nënkontraktorit, projektin, madhësinë e tij dhe modalitetet e zbatimit të tij. Thënë në terma të përditshëm “ata gjenden sot për nesër” në pronat dhe banesat që i kanë ndërtuar për disa vite, duke krijuar shqetësime të arsyeshme që cenojnë të drejtën e tyre për jetë private dhe familjare.
Vëzhguesit e KShH-së vërejtën se në këtë terren ishim vendosur mjetet e punës dhe punimet kishin vazhduar nga Zona e Fushë- Prezës drejt fshatit Bërxull. Si banorët, edhe drejtuesit e Njësisë Administrative Bërxullë pretenduan se nuk ishin njoftuar në formë zyrtare, as për çmimin e caktuar lidhur me shpronësimin e pronave të tyre. Siç dihet, sipas Ligjit nr. 8861 datë 22/12/1999 “Për shpronësimet dhe marrjen në përdorim të përkohshëm të pasurisë pronë privatë për interes publik” i ndryshuar, në rast të shpronësimeve për interes publik është e domosdoshme nxjerrja e vendimit përkatës të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet edhe masa e shpërblimit (shih nenin 2 e vijues të Ligjit).
Lidhur me pretendimin e mësipërm, KShH me datë 29 Dhjetor i është drejtuar Këshillit të Ministrave. Në përgjigjen që na është dhënë thuhet se kërkesa jonë i është përcjellë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Kjo e fundit, me shkresën Nr. 240/1 datë 21.02.2023, ka njoftuar KShH-në se “ procedura e shpronësimit për projektin Thumanë-Vorë-Kashar, nuk është finalizuar ende me një Vendim të Këshillit të Ministrave….”. Në fakt nga monitorimi në vend u konstatua se kompania ndërtuese kishte filluar punimet shumë pranë vendbanimeve të banorëve.
Gjatë periudhës së monitorimit, KShH vërejti se kompania ndërtuese nuk kishte marrë leje as zhvillimore dhe as ndërtimore, gjë që bie ndesh me Ligjin Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” si dhe Ligjin Nr. 8458 datë 17/09/1998 “Për Urbanistikën” i ndryshuar. Vëzhguesit e KShH-së vërejtën gjithashtu se IKMT-ja dhe IMT-ja Vorë nuk kanë kryer asnjë verifikim dhe as kanë ndërhyrë për pezullimin e veprimeve ndërtimore të kryera pa lejen e organeve kompetente, gjë që bie ndesh me Ligjin Nr. 9780 datë 17.07.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”.
Banorët e Bërxullës shprehën gjithashtu shqetësimet e tyre nëse pas përfundimit të këtij aksi do të ndërtoheshin ose jo, mbikalime apo nënkalime që do të mundësonin (siguronin) lëvizjen e banorëve duke parandaluar kështu aksidentet e mundshme.
Duke patur parasysh çështjet e parashtruara më lart, KShH, sugjeron:
- Nisur nga shqetësimet e banorëve si dhe nga fakti që nuk ka ende një akt shpronësimi, KShH-së thekson nevojën e vlerësimit të drejtë dhe të plotë të masës së shpërblimit, për shpronësimin e banorëve në përputhje me procedurat ligjore, si një e drejtë që gëzon jo vetëm mbrojtje kushtetuese por edhe nga aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga vendi ynë. Në këtë drejtim, vlen të analizohet edhe jurisprudence e Gjykatës së Strasburgut (GJEDNJ). Në çështjen Lallement kundër Francës, GjEDNj vlerësoi se kompensimi duhet të ishte më i lartë se vlera e tregut për shpronësimin e një pjese të fermës së aplikantit.
- Banorët e Bërxullës vazhdojnë të protestojnë. Ata pretendojnë se deri më sot, me ta, nuk ka patur asnjë këshillim dhe asnjë sqarim, megjithëse disa herë e kanë kërkuar këtë. KShH çmon të nevojshme konsultimin paraprak dhe sqarimin e nevojshëm të banorëve, nëse do të ndiqet një procedurë shpronësimi në tokat e tyre.