Gjuha dhe urrejtja pengon debatin konstruktiv


Të nderuar deputetë,

Nuk është hera e parë që Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka bërë thirrje që në punimet parlamentare të shmanget gjuha e urrejtjes. KShH ka reaguar publikisht për këtë çështje, i bindur se do të gjente mbështetjen e opinionit të gjerë shoqëror.

Meqë gjuha e urrejtjes këto kohët e fundit është intensifikuar dhe është kthyer në një fenomen shqetësues, nuk mund që ajo të mos ndikojë negativisht edhe në funksionimin normal të parlamentit të një vendi demokratik. Është kjo arsyeja që KShH e shikon me vend të reagojë përsëri dhe të bëjë thirrje që fenomeni i mësipërm me pasoja të dëmshme jo vetëm të mos thellohet por të vlerësohet seriozisht nga deputetët e çdo krahu, të pozitës dhe të opozitës.

KShH është i ndërgjegjshëm se debati parlamentar nuk mund të jetë  perfekt. Është e kuptueshme dhe e pranueshme që për çështje të caktuara, ai të shoqërohet edhe me kundërshti më kritika konkrete dhe të adresuara që në ndonjë rast mund të jenë të tepruara dhe të ashpra. Por ato nuk mund të jenë konstruktive kur një deputet vihet në rolin e hetuesit, prokurorit apo gjyqtarit që akuzon për kryerjen e veprave penale, duke pretenduar se disponon prova të plota dhe të padiskutuara, duke injoruar kështu detyrimin për të bërë para organeve të ndjekjes penale, denoncimet përkatëse. Në fakt në këtë mënyrë, ai/ajo nuk e përfill dhe cënon edhe parimin kushtetues të prezumimit të pafajësisë të sanksionuar në nenin 30 të Kushtetutës.

KShH konstaton me keqardhje se deputetë të veçantë me diskutimet apo ndërhyrjet e tyre nuk ngurojnë të cënojnë edhe dinjitetin personal të kolegut të tyre, madje edhe të personave të tjerë jashtë parlamentit.

Të nderuar deputetë,

Ju keni miratuar ligjin e vitit 1998 për trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve edhe në përputhje me dokumentet ndërkombëtare qysh në fillim të këtij ligji keni miratuar dispozitën që bën të detyrueshme trajtimin human të personave të privuar nga liria dhe respektimin e dinjitetit të tyre. Përse atëherë i jepni të drejtë vetes të cënoni dinjitetin e të tjerëve? Duke vepruar kështu, çfarë mesazhi i jepni elektoratit që ju ka zgjedhur?

KShH është i bindur se sikur të bëhej një sondazh për të tërhequr mendimin e njerëzve të thjeshtë se cili ishte vlerësimi i tyre për zhvillimin e seancave parlamentare, sidomos të ditëve të njëjta, një përqindje e konsiderueshme do të shpreheshin me nota negative. Por jo vetëm kaq, sondazhi do të vërtetonte se numri i personave që ndiqnin seancat parlamentare të transmetuara nga TV-të ishin në rënie. Për KShH-në ky mund të ishte një tregues që do të kërkonte reflektim sepse në fund të fundit njerëzit që kanë zgjedhur përfaqësuesit e tyre në organin legjislativ, pavarësisht nga bindjet e tyre apo nga simpatitë partiake kërkojnë nga deputetët që të diskutojnë dhe të zgjidhin ato probleme që preokupojnë popullin. Ata meritojnë të jetojnë më mire. Gjuha e urrejtjes dhe akuzat e ndërsjellta nuk kanë asgjë të përbashkët me debatin konstruktiv parlamentar. Në përfundim Komiteti Shqiptar i Helsinkit rekomandon që Kuvendi të miratojë Kodin e Etikës për deputetët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit