Trafikimi i qenieve njerëzore, shkelje e dinjitetit njerëzor që duhet eliminuar


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), si i gjithë publiku shqiptar, u njoh me Raportin e Trafikimit të Qenieve Njerëzore, për vitin 2014, përgatitur nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Ne e konsiderojmë trafikimin e qenieve njerëzore si një ndër format më të rënda të dinjitetit njerëzor , të lirive dhe të drejtave të njeriut, prandaj ndihemi të shqetësuar që ky fenomen ende nuk po parandalohet si duhet, si ne vendin tone ashtu dhe ne mjaft vende te tjera te botes. Krahas disa arritjeve, Raporti ka evidentuar se vendi ynë është vend origjine, transiti dhe destinacioni për trafikimin e qenieve njerëzore dhe se në këtë fenomen janë përfshirë si viktima, gra, fëmijë dhe meshkuj të rritur, shqiptarë dhe të huaj. Qeveria Shqiptare, ndonëse përmirësoi përpjekjet për zbatimin e ligjit duke hetuar dhe dënuar më shumë trafikantë, përfshirë edhe ata që detyronin fëmijët për të lypur në rrugë, nuk ka përmbushur plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit, sepse ka mangësi, neglizhencë dhe mungesë bashkëpunimi në përmbushjen e detyrave për luftimin e fenomenit nga organet shtetërore ligjzbatuese si: Policia e Shtetit, Prokuroria, Gjykata, organet përkatëse të pushtetit qendror dhe atij lokal.

KSHH është veçanërisht e shqetësuar për faktin se një person i përfshirë në këto krime makabre ka mundur të përfshihet në organin më të lartë ligjbërës të vendit.

Veprat kriminale të trafikimit të qenieve njerëzore, për natyrën dhe elementët që e karakterizojnë, mund të kryhen vetëm në rastet neglizhencës në detyrë, të përfshirjes në këto veprimtari të personave të veshur me pushet, ose të ngarkuar me funksione të rëndësishme publike. Për këtë arsye ju kërkojmë të gjitha forcave politike, veçanërisht atyre që kanë mandatin për të qeverisur, të marrin masa të menjëhershme për të krijuar kushtet ligjore dhe praktike për largimin sa më parë nga strukturat publike, vendimmarrëse dhe ekzekutive, si dhe nga strukturat e tyre partiake, të gjithë personave të inkriminuar dhe në veçanti të atyre të përfshirë në trafiqe e korrupsion, fenomene të cilat po u shkaktojnë dëme të rënda interesave të shtetasve dhe të vendit.

Gjithashtu, ju sugjerojmë të gjitha organeve të pushtetit shtetëror, të studiojnë me kujdes këtë raport, të analizojnë, pa vonesë, veprimtarinë e tyre dhe të marrin masa për të përmirësuar veprimtarinë për parandalimin dhe luftimin e fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore, si dhe të krijojnë kushte optimale për mbështetjen dhe rehabilitimin e viktimave. Organet e policisë dhe të drejtësisë të rritin kapacitetet në drejtim të zbulimit, hetimit dhe gjykimit të shpejtë të këtyre veprave penale të rrezikshme, në përputhje me ligjin, duke evituar rastet e penalizimit të viktimave.

KShH mbështet rekomandimet e adresuara nga Raporti mbi Trafikimin e Qenieve Njerëzore, për vitin 2014, të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe do të jetë në mbështetje të të gjitha masave dhe përpjekjeve të strukturave të shtetit shqiptar, për të luftuar këtë fenomen

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit