Më shumë përgjegjësi në përmbushje të detyrimeve ligjore dhe angazhimeve të ndërmarra
Zgjedhësit me aftësi të kufizuara ndër vite vazhdojnë të përballen me barierra të cilat i pengojnë ata të ushtrojnë një të drejtë themelore, siç është ajo e votës. Edhe pse nuk ka një shifër zyrtare për zgjedhësit me aftësi të kufizuara në Shqipëri, janë afërsisht 134 mijë persona në moshë votimi, që do të thotë rreth 6.05% e popullsisë, sipas Rregjistrimit të Popullësisë dhe Banesave, realizuar nga INSTAT, 2011.
Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme (KZLN)i, duke vlerësuar dhe njëkohësisht duke rikujtuar angazhimet e ndërmarra, fton Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, institucionet e pushtetit qendror dhe lokal, që të konkretizojnë këto angazhime, në masa dhe veprime konkrete.
Këto institucione duhet të transmetojnë qartë mesazhin, që votat e personave me aftësi të kufizuara, janë njësoj të rëndësishme dhe që ata, si të gjithë votuesit e tjerë, gëzojnë efektivisht të drejtën për të zgjedhur ato platforma politike dhe kandidatë, që përfaqësojnë më së miri të drejtat dhe interesat e këtij komuniteti.
KRitheksojmë që, në përmbushje të detyrimeve ligjore të Ligjit “ Kodi Zgjedhor” Nr.74, date 23.12.2011, Neni 108 dhe Udhëzimit të KQZ, Nr.01, datë 12.12.2012, Neni 6, si dhe angazhimeve të ndërmarra, duhet domosdoshmërisht të kryhet planifikimi dhe alokimi i burimeve financiare me qëllim: Përshtatjen e qendrave të votimit, prodhimin e mjeteve për të verbërit si edhe prodhimin e dhomave të fshehta të përshtatura; masa për informim dhe ndërgjegjësim, që të identifikohen në lista zgjedhësit me aftësi të kufizuara, sipas llojit të
aftësisë së kufizuar në mënyrë që të parashikohet për ta transport ditën e votimit, përgatitje të stafeve që merren më administrimin zgjedhor me qëllim mirëpritjen e personave me aftësi të kufizuara gjatë gjitha proceseve parazgjedhore deri në ditën e votimit.
Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është angazhuar me përpjekje të vazhdueshme në proceset zgjedhore në Shqipëri, pas vitit 2000, për të mundësuar pjesëmarrje në votime të barabarta, të drejtpërdrejta e të fshehta të zgjedhësve me aftësi të kufizuara. Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara angazhohet për përpjekje të mëtejshme, edhe duke ofruar për KQZ dhe institucionet përgjegjëse rezultatet dhe rekomandimet e studimit “ E drejta zgjedhore për zgjedhësit me aftësi të kufizuara” që përgatiti dhe vuri në dispozicion të aktorëve përgjegjës në Janar 2013.