Ritmet për reformën zgjedhore duhen shpejtuar


Duke patur parasysh se zgjedhjet periodike janë një e drejtë themelore e shtetasve, si dhe faktin se në vitin 2009 do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH-ja) përshëndet angazhimin e forcave politike për bashkëpunim dhe konsensus për realizimin e shpejtë dhe me sukses të reformës zgjedhore, element ky i rëndësishëm për të marrë ftesën e anëtarësimit në NATO.

Megjithatë, KShH-ja si një organizatë joqeveritare e angazhuar në fushën e respektimit të të drejtave të shtetasve dhe në monitorimin e zgjedhjeve periodike, shpreh disa shqetësime mbështetur në ndjekjen dhe vlerësimin kritik dhe objektiv të këtij procesi.

1. Qysh në muajin Maj të vitit të kaluar, është ngritur Komisioni i posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore. KSHH mendon se shtetasit shqiptarë dhe në veçanti zgjedhësit, kanë të drejtë të pyesin dhe të informohen përse gjatë gjithë kësaj kohe nuk janë hedhur hapa konkrete në drejtim të përmirësimit të legjislacionit zgjedhor?

2. Shtetasit shqiptarë kanë të drejtë që me transparencë të informohen gjithashtu se kur do të përfundojë procesi i prodhimit të kartave të identitetit dhe cili do të ishte afati përfudnimtar i shpërndarjes së tyre, çfarë po bëhet me sistemin e adresave dhe ç’masa paraprake do të merren që të garantohet votimi i emigrantëve shtetas shqiptarë.

KSHH mendon se plotësimi i detyrave të mësipërme edhe pse ka karakter tekniko- administrativ nëse nuk realizohet në kohën e duhur mund të shoqërohet me pasoja të dëmshme.

Duke patur parasysh rastet negative të vërtetuara në zgjedhjet e mëparshme, KSHH sugjeron të kalohet nga deklaratat politike dhe diskutimet e stërzgjatura dhe pa rezultat, në hapa konkrete konsensuale që do të pasqyroheshin në përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor.

KSHH mendon se aktualisht duhen zgjidhur me urgjencë dy probleme kryesore që do t’i shërbenin zhvillimit pozitiv të diskutimit dhe debatit për reformën zgjedhore në tërësi,:

Së pari, duhet vendosur për sistemin zgjedhor,

Së dyti, duhet përcaktuar qartë cili do të jetë funksioni, roli dhe përbërja e administratës zgjedhore, duke filluar nga KQZ-ja deri tek komisonet më të ulta zgjedhore.
Këto dhe çështje të tjera që kanë lidhje me reformën zgjedhore, vitin e kaluar janë bërë objekt diskutimi edhe në mbledhjet e disa organizatave joqeveritare, kontributi modest i të cilave u shoqërua me propozime konkrete.

KShH-ja sugjeron që t’i jepet fund praktikës së mëparshme që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të bëhen në muajin ose muajt e fundit para zgjedhjeve, gjë që ka ndikuar negativisht në ecurinë e procesit zgjedhor.

KSHH sugjeron gjithashtu se meqë shtrohet problemi i një reforme më të plotë zgjedhore nuk duhet lënë jashtë vëmendjes edhe pjesa e Kodit Zgjedhor ku bëhet fjalë për referendumet. E themi këtë sepse mendojmë se ky kapitull ka dispozita të paqarta dhe të pasakta që kërkojnë shtesa dhe riformulime me qëllim që të jenë në përputhje me Kushtetutën dhe në përqasje me legjislacionin Europian.

KSHH shpreh bindjen se përmbushja e kësaj detyre sidomos në kushtet e tanishme është e një rëndësie të veçantë. Është pikërisht kjo edhe një nga arsyet që kërkon shmangien apo venitjen e interesave të ngushta partiake. Reforma e shpejtë, por cilësore do të garantonte zgjedhje të lira, të ndershme dhe të pakontestuara.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2020 >
November
MoTuWeThFrSaSu
      1
2345678
9101112131415
16171819202122
23242526272829
30      
TOP