Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), duke marrë shkas nga informacionet e medias, se në shtratin e lumit Tërkuzë në Bashkinë Kamëz, depozitohen dhe digjen mbetjet urbane, e verifikoi gjendjen në vend.
Gjatë verifikimit rezultoi se pa mbërritur ende në vendin e depozitimit të mbetjeve, në ajër dukeshin shtëllunga tymi të zi. Afro 200 banorë protestonin për këtë shkak. Gjatë bisedave me një pjesë të tyre, ata pretendonin se kjo gjendje vazhdon prej shumë vjetësh, gjë që ka ndikuar negativisht në shëndetin e njerëzve, veçanërisht të fëmijëve që vuanin nga astma bronkiale.
Personeli i Ndërmarrjes së Pastrim – Gjelbërimit, në varësi të Bashkisë Kamëz, pranoi depozitimin e mbetjeve nga ky institucion, por pretenduan se djegia e tyre ishte pasojë e nxehtësisë.Drejtori i Qendrës Shëndetësore Kamëz, i pyetur në lidhje me këtë çështje, pohoi se një ndotje e tillë e ajrit në afërsi të banesave ndikon negativisht në rrugët e frymëmarrjes, pra edhe të Astmas.
Në takimin me personelin e Inspektoratit të Mjedisit, pranë Ministrisë së Mjedisit, rezultoi se nuk ishin në dijeni të kësaj situate, por u angazhuan se do të vihej në lëvizje Inspektorati Rajonal i Mjedisit, Tiranë. Nga personeli i mësipërm u informuam gjithashtu se, vendi ku depozitoheshin mbetjet nuk është i lejuar siç e kërkon legjislacioni përkatës.
KShH e konsideron këtë gjendje tepër shqetësuese për faktin se ndotet ajri dhe uji i lumit. KShH vlerëson se veprime të tilla nuk janë në përputhje me nenin 59, pika 1, shkronjë “d” të Kushtetutës, ku thuhet se shteti synon garantimin e një mjedisi të shëndetshëm dhe ekologjikisht të përshtatshëm për brezat e sotshëm dhe të ardhshëm.
Gjithashtu, KShH ka parasysh se: a) sipas nenit 26 të Ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, bashkitë janë përgjegjëse për sigurimin në nivel vendor të masave për mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga ndotja; b) sipas nenit 5 të Ligjit nr. 10463, datë 22.09.2011 “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, ato menaxhohen duke mos vënë në rrezik shëndetin e njeriut, ajrin, tokën, bimët dhe kafshët. Veç kësaj, sipas nenit 12, pika 2 të ligjit të mësipërm, çdo njësi e qeverisjes vendore duhet të hartojë planin vendor të menaxhimit të mbetjeve. Për mënaxhimin e tyre kërkohet pajisja me leje mjedisore; c) Në një kre të veçantë të Kodit Penal, në fuqi, parashikohen veprat penale kundër mjedisit, përfshirë ndotjen e ajrit, të ujërave, etj.
KShH duke u nisur nga gjendja e konstatuar në vend, u bën thirrje organeve kompetente të ndërhyjnë me urgjencë për të evituar ndotjen e mëtejshme që rrezikon shëndetin e njerëzve.
KShH i sugjeron organit të prokurorisë që me nismën e saj të fillojë ndjekjen penale.