Pasi publiku i gjerë është njohur vazhdimisht nëpërmjet medias vizive, njoftimeve të herëpashershme të Komitetit Shqiptar të Helsinkit (KShH), apo aktorëve të tjerë të shoqërisë, me problemin e ndotjes së rëndë për shkak të punës së paligjshme të guroreve dhe furrave gëlqerore në fshatrat e Krujës, autoritetet shtetërore nuk kanë pasur forcën e duhur të reagimit.
Së fundmi, 4 qytetarë, banorë të fshatit Burizanë, Thumanë, në bashkinë Krujë kanë kërkuar nga institucionet shtetërore, nëpërmjet padisë gjyqësore, ndalimin e ndotjes së mëtejshme dhe mbrojtjen e cilësisë së ajrit, tokës dhe ujit nga kjo ndotje, konkretisht në lagjet Qendër dhe Kadias të fshatit, Njësia Administrative Thumanë, Bashkia Krujë.
KShH i është bashkuar kërkesës drejtuar gjykatës, si mbrojtës i të drejtave të banorëve dhe përfaqësues i interesit publik, për një mjedis të pastër dhe ekologjik, si garanci për gëzimin e shëndetit dhe një jete të qetë familjare të tyre.
Bashkia Krujë, Agjensia Kombëtare e Mjedisit, Inspektorati i Mjedisit, Pyjeve dhe Ujërave (përfaqësuar nga Inspektorati Qendror), si dhe Ministria e Turizmit dhe Mjedisit janë paditur nga banorët dhe KShH pasi nuk kanë marrë masa efektive për zgjidhjen përfundimtare të kësaj cështjeje, pavarësisht thirrjeve publike apo kërkesave administrative zyrtare kundrejt tyre.
Ndjekja ligjore e këtij rasti nga KShH është mbështetur tek projekti “Krijimi dhe promovimi i praktikave pozitive të mirëqeverisjes ndaj komuniteteve vendore dhe grupeve në nevojë në Shqipëri”, financuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, përfaqësuar nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë.