Kjo çështje gjyqësore është ndjekur në kuadër të Projektit “Përmirësimi i situatës të të drejtave të njeriut në Shqipëri, nëpërmjet forcimit të Shtetit të së Drejtës” (Klinika Ligjore XII), mbështetur financiarisht nga Civil Rights Defenders.
Ditën e djeshme, dt. 10.04.2018, Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë shpalli vendimin me të cilin pranoi se nga mosveprimi i institucioneve të mësipërme shëndetësore është shkaktuar diskriminim i të miturit G. L., ka urdhëruar vendosjen e pajisjes së Implantit Koklear tek i mituri dhe shpërblimin e dëmit të llogaritur në masën 6 838 590 lekë.
KShH iu drejtua Gjykatës administrative me Kërkesë-padi me anë të së cilës kërkoi konstatimin e diskriminimit të të miturit G. L., në formën e “Mohimit të një përshtatjeje të arsyeshme”, ndreqjen e pasojave përmes kryerjes së veprimeve administrative për sigurimin dhe vendosjen e Implantit Koklear tek i mituri dhe kompensimin e dëmit të shkaktuar nga mosvendosja e pajisjes së Implantit Koklear.
Megjithatë, deri tani paketa e shërbimit shëndetësor të Implantit Koklear nuk është bërë efektive në asnjë rast për shkak se, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nuk ka siguruar pajisjen e Implantit Koklear, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza“, Tiranë nuk ka kryer vlerësimin paraprak të gjëndjes shëndetësore të të miturit G. L. dhe ndërhyrjen kirurgjikale për vendosjen e pajisjes ndërsa Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nuk ka financuar, administruar dhe monitoruar ofrimin e falas paketës të kësaj pakete.
Me VKM nr. 308, dt. 21.05.2014, “Për miratimin e paketave të shërbimeve shëndetësore që do të financohen nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në shërbimin spitalor”, në fuqi që në muajin Qershor 2014, paketa e Implantit Koklear ofrohet falas për shtetasit që plotësojnë kushtet shëndetësore për përfitimin e saj.
Në dokumentet mjekësore të lëshuara nga Shërbimi O.R.L, i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, është përcaktuar domosdoshmëria për vendosjen kirurgjikale të Implantit Koklear tek i mituri G. L., si e vetmja mundësi për korigjuar problemin në dëgjim. Moskryerja e ndërhyrjes kirurgjikale për vendosjen e Implanit Koklear në një kohë sa më të shpejtë, sipas Mjekëve specialistë sjell pasoja të rënda për mundësinë e dëgjimit tek i mituri.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në veprimtarinë e tij për mbrojtjen e të drejtave të grupeve vulnerabël, ka ndjekur në rrugë gjyqësore çështjen e të miturit G. L., i cili është diagnostikuar me ”Hypoacusia billateralis profonda, surdomutisim”, ose shurdhësi e rëndë në të dy veshët. Çdo vit në Shqipëri llogaritet që lindin rreth 20-30 fëmijë me probleme të rënda të dëgjimit.