Korniza e re kushtetuese dhe ligjore për reformimin e sistemit të drejtësisë, ndër të tjera parashikon organizimin dhe funksionimin e organeve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, përkatësisht, Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP), Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) dhe Shkolla e Magjistraturës.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në kuadër të projektit “Përfshirja e shoqërisë civile për një sistem drejtësie funksional dhe të barabartë për të gjithë në Shqipëri” i financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Save the Children dhe Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave të Integruara, gjatë periudhës Prill 2018 – Mars 2019 do të zbatoj nismën “Për të rritur pavarësinë, llogaridhënien, transparencën dhe efikasitetin e Institucioneve të Reja të Qeverisjes të Drejtësisë” .
Përse lindi nevoja për të ndërmarrë këtë nismë:
- Monitorimi i kryer nga KShH për zbatimin e reformës në sistemit të drejtësisë, evidentoi ndër të tjerash vonesa në ngritjen e organeve të qeverisjes së sistemit të drejtësisë, si Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe i Prokurorisë (KLP dhe KLGJ), si dhe Këshilli i Emërimeve në Drejtësi të cilat kanë ndikuar në mosplotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, në emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm me mandat të plotë, si dhe në mos ngritjen në kohë të institucioneve të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
- Përzgjedhja me short e kandidatëve jo gjyqtarë dhe jo prokurorë për KLGj-në dhe KLP-në, në mungesë të konsensusit mes anëtarëve të nën komisionit parlamentar, edhe pse një mënyrë për ta zhbllokuar procesin, vlerësojmë se nuk garantoi plotësisht zgjedhjen e anëtarëve të këtyre organeve, mbi bazë merite dhe integriteti.
- Vonesa ka patur gjithashtu në zgjedhjen e anëtarëve gjyqtarë dhe prokurorë për KLGJ-në dhe KLP-në. Kandidatët në radhët e këtyre anëtarëve po i nënshtrohen vettingut nga organet përgjegjëse të vettingut, proces ky që kërkon më shumë dinamizëm, por pa dëmtuar cilësinë e këtij procesi.
- Për ligjin nr. 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” është diktuar nevoja e rishikimit të tij, pasi disa dispozita të këtij ligji janë shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese me dy vendime të ndryshme të vitit 2017 (nr.41 dhe nr.78). Rishikimi i këtyre dispozitave kërkon gjithashtu kontributin e ekspertizës më të mirë vendase, paralelisht me kontributin e ekspertizës ndërkombëtare.
Duke u udhëhequr nga misioni i KShH-së, nisma jonë do të konsistojë në monitorimin e ngritjes, organizimit dhe funksionimit të institucioneve të reja të qeverisjes së sistemit të drejtësisë dhe në mënyrë të veçantë të dy Këshillave, atij të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë. Në fokus të nismës së KShH-së do të jetë transparenca karshi publikut, përgjegjshmëria, efikasiteti, cilësia në vendimmarrje e këtyre organeve kolegjiale sidomos ushtrimi i kompetencave të tyre lidhur me statusin dhe karrierën e gjyqtarëve dhe të prokurorëve, etj.
Gjetjet dhe përfundimet nga monitorimi i KSHH-së do të vihen në dispozicion të institucioneve përgjegjëse të drejtësisë si dhe misioneve ndërkombëtare të asistencës në vendin tonë. Sipas rëndësisë së tyre, ato do t’u komunikohen në mënyrë periodike medias dhe publikut, me qëllim që ky proces të jetë sa më transparent në sytë e qytetarëve, të cilët kërkojnë të rifitojnë besimin e humbur në organet e pavarura të drejtësisë.