Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), në vijim të Opinionit miqësor, (amicus curiae) për ankimin e shtetasit Rus Igor Kokunov, rol i pranuar me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, pasi ndoqi në cilësinë e publikut dhe jo të subjektit që mund të njoftohej nga Gjykata Kushtetuesem në seancën dëgjimore për këtë çështje të dt.12 Nëntor 2025, përcolli kësaj Gjykate, dokumentacionin dhe praktikën mbështetëse që dispononte për këtë çështje. Kjo praktikë u përcoll pasi KShH u njoh me pyetjet dhe dokumentat që anëtarët e kësaj Gjykate i drejtuan palëve të këtij procesi kushtetues, duke marrë në konsideratë faktin se KShH ka monitoruar praktikën institucionale të ekstradimit të shtetasit rus I.Kokunov, edhe pse Gjykata Kushtetuese pezulloi më herët këtë proces ekstradimi drejt Federatës Ruse. Gjithashtu, ky dokumentacion u dërgua para se të mbyllej hetimi gjyqësor nga Gjykata Kushtetuese për këtë çështje.
KShH u informua nga Sekretari i Përgjithshëm i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse shkresa jonë i drejtohej në fakt Kryetares së kësaj Gjykate dhe relatorit të çështjes, se dokumentacioni i vendosur në dispozicion nga ana e Komitetit Shqiptar të Helsinkit për rastin konkret, kthehet pa veprim, me argumentin se KSHH nuk është palë në gjykimin kushtetues, ndaj dhe nuk gëzon të drejtën për të paraqitur prova.
KSHH shpreh shqetësimin e thellë për qëndrimin refuzues ndaj dokumentacionit zyrtar të ofruar nga ana jonë, si palë e interesuar në gjykimin e kësaj çështjeje, si dhe për faktin se nuk u njoftuam për pjesmarrje në seancë publike, dhe nuk u dëgjuam edhe pse ishim të pranishëm. Interpretimi në tërësi i kuadrit kushtetues dhe ligjor lidhur me rolin amicus curiae para Gjykatës Kushtetuese nuk i përgjigjet standardeve më të mira të mbrojtjes së të drejtave themelore të njeriut dhe bashkëveprimit të palëve procedurale të përfshira në këtë proces gjykimi.
Në këtë kontekst, vlerësojmë se do duhet të risjellim në vëmëndje të Gjykatës Kushtetuese rëndësinë e standardit të aksesit në gjykimin kushtetues si pjesë e nenit 42 të Kushtetutës, detyrim edhe për vetë Gjykatën Kushtetuese, gjatë ndjekjes së procedurave gjyqësore të zhvilluara para saj, si standard i vendosur në interpretim të zgjeruar të kuadrit kushtetues dhe praktikave më të mira ndërkombëtare në këtë drejtim.
Përveç sa më lart, referuar nenit 39/b të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, pjesëmarrës në gjykimin kushtetues janë edhe subjektet që kanë interes të drejtpërdrejtë për çështjen që shqyrtohet, si dhe referuar nenit 26, pika 2 të Rregullores së Procedurave të Gjykimit Kushtetues, në procesverbalin e votimit përcaktohen subjektet që do të thirren në gjykim, të cilat janë: subjektet kundër të cilave është paraqitur kërkesa ose që kanë interes të drejtpërdrejtë për çështjen që shqyrtohet; organi që ka nxjerrë aktin; çdo subjekt tjetër pjesëmarrja e të cilit vlerësohet e nevojshme për zhvillimin efektiv të gjykimit kushtetues”.
Nga i gjithë kuadri rregullator procedural i administrimit të procesit gjyqësor kushtetues më lart, rezulton e qartë që KSHH do duhej të ishte pjesë e procesit si palë e interesuar, (amicus curiae), dhe të njoftohej për çdo fazë të procesit, që nga momenti që u pranua si i tillë nga Gjykata me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve.
Në këtë kuptim ndjehemi të keqardhur që dispozitat ligjore të ligjit organik të Gjykatës Kushtetuese në tërësi janë interpretuar në mënyrë të ngushtuar, në dëm të aksesit kushtetues, administrimit të procedurave kushtetuese dhe standardeve më të larta të pjesmarrjes së palëve të treta në gjykimin kushtetues, duke relativizuar rolet dhe kontributet kaq të nevojshme të shoqërisë civile në kontekstin e sfidave dhe problematikave strukturale me respektimin e të drejtave themelore të njeriut nga shteti Shqiptar.
Për sa më lart, KSHH vlerëson se ky rast i cili përbën rastin e dytë të përsëritur më herët në praktikën e ndjekur nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj gjykate për një grup të zgjeruar të organizatave të shoqërisë civile shqiptare dhe të rajonit, të cilat ofruan opinionin e tyre amicus curiae, pë paktin e migracionit mes Shtetit Shqiptar dhe atij Italian, dëmton klimën e besimit në çështje të administrimit të drejtësisë kushtetuese, përbën regres në raport me organizatat e shoqërisë civile, angazhimi i të cilave ka qenë i njohur dhe i pranuar nëgjykimin kushtetues, edhe para ndryshimeve kushtetuese të viti 1998, kur ato vetë nuk legjitimoheshin t’i drejtoheshin kësaj gjykate, si dhe me praktikën e konsoliduar të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut për aksesin që i ka krijuar organizatave të shoqërisë civile, kur ata kanë shprehur interes për të kontribuar me Amicus Curiae!






