Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) vlerëson punën pozitive të KQZ-së në zbatim të Kodit Zgjedhor. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka punuar me intensitet dhe është angazhuar seriozisht për zgjidhjen e disa problemeve të rëndësishme.
Megjithëkëtë, shprehim shqetësimin tonë se, jo vetëm nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit por edhe nga sinjalizme dhe burime të tjera është dhënë publikisht informacion për shkelje të ndryshme nga anëtarët e Komisioneve të Qendrave të Votimit si dhe janë raportuar raste te cenimit të heshtjes zgjedhore nga përfaqësues të partive politike ose komisionerë të QV apo vëzhgues të subjekteve zgjedhore. KShH vlerëson se, KQZ duhet të reagonte bazuar në kompetencat që i jep Kodi Zgjedhor. Kështu psh, nëse nuk është respektuar heshtja zgjedhore e parashikuar në nenin 77 të Kodit Zgjedhor, duhej zbatuar neni 174 i Kodit Zgjedhor që parashikon dhënien e sanksioneve me gjobë për thyerjen e heshtjes zgjedhore.
Veç kësaj, KQZ është informuar gjithashtu nga KShH edhe për disa pengesa që u janë shkaktuar vëzhguesve tanë nga disa komisionerë të niveleve të dyta dhe të trejta (KQV dhe KZAZ). Madje, pak orë më parë, një nga vëzhguesit tanë është paralajmëruar nga kryetarja e KQZ-së që të mos jetë e pranishme në procesin e mbylljes së votimit, etj. Pengesa të ngjashme janë raportuar gjithashtu nga vëzhgues të KShH-së gjatë pjesës së parë të ditës, ku atyre u është bërë presion se do të largohen nga qendrat e votimit. Pengesa të tilla janë shfaqur në rastet kur këta vëzhgues kanë ushtruar në mënyrë aktive të drejtën që ju njeh kodi për të paraqitur vërejtje me shkrim. Sqarojmë se këto vërejtje me shkrim të vëzhguesve të KShH-së janë bërë kur ata kanë konstatuar shkelje të Kodit Zgjedhor nga anëtarët ose sekretari i KQV-ve.
Janë pikërisht arsyet e mësipërme që KShH, në kuadrin e transparencës dhe të informimit të publikut i sugjeron KQZ-së të jetë proaktive dhe të bëjë të njohura publikisht qëndrimet dhe masat e marra në përputhje me ligjin. Kjo do të kontribuonte në drejtim të zbatimit të mirë të legjislacionit zgjedhor në këtë ditë të rëndësishme për vendin tonë, si dhe do të rriste përgjegjshmërinë dhe transparencën e të gjitha organeve të administrimit zgjedhor në nivel vendor.