Më shumë transparencë për vlerësimin e aftësive profesionale të prokurorëve në kuadër të procesit të vettingut


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), me mbështetje të Fondacionit Shoqëria e Hapur për Shqipërinë është angazhuar në monitorimin e një prej proceseve më të rëndësishëm të reformës në drejtësi, atij të vettingut.

Në datën 9 Gusht 2017, KShH ju drejtua me kërkesë për informacion, institucioneve që bashkëpunojnë me organet e vettingut për vlerësimin e pasurive, kontrollin e figurës dhe vlerësimin e aftësive profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Institucionet si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë dhe Konfliktit të Interesit i janë përgjigjur pjesërisht kërkesës së KShH-së për informacion.

Megjithatë, edhe pse kaluar 56 ditë nga data e paraqitjes së kësaj kërkese, nuk disponojmë ende informacion nga institucioni i Prokurorisë së Përgjithshme, e cila, bazuar në nenet 3, pika 10 dhe nenet 40 të ligjit për vettingun (nr.84/2016), nëpërmjet strukturës së saj përkatëse kryen vlerësimin e aftësive profesionale të subjekteve të rivlerësimit në kompetencën e saj, deri në konstituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në kuadër të transparencës ndaj shoqërisë civile dhe publikut, KShH vlerëson se për një çështje kaq të rëndësishme paraqet interes të veçantë dhënia e informacionit të nevojshëm për hapat e ndërmarra deri më tani nga institucionet e sipërpërmendura, të cilat janë ngarkuar me përgjegjësi direkte për të bërë verifikimet dhe vlerësimet e nevojshme për tre komponentët, mbi bazën e të cilëve do të realizohet vettingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve.

KShH mendon se çdo vonesë në këtë drejtim ndikon negativisht në procesin e zbatimit të legjislacionit të vettingut që konsiderohet kyç për përmbushjen me sukses të objektivave madhorë të reformës në organet e sistemit të drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Postime

eventet

Event Calendar WD requires PHP Calendar module to display events. Contact your hosting provider or enable it manually.
TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit