Mjaft përdorimit të medias si zgjatim i politikës dhe i biznesit


Komiteti Shqiptar i Helsinkit, shoqata ProLGBT dhe Civil Rights Defenders bëjnë thirrje për respektimin e lirisë së shtypit dhe ndalimin e censurës e vetëcensurës.

Në këto 26 vjet të demokracisë dhe pluralizmit në vendin tonë, shtypi ka dhënë një kontribut të çmuar për të inkurajuar debatin publik në interes të përgjithshëm. Megjithatë gazetarët profesionistë ballafaqohen me probleme serioze gjatë kryerjes së misionit të tyre që i pengon ata të kryejnë detyrën e tyre me dinjitet. Në këtë drejtim është shqetësues fakti që ka ende gazetarë që punojnë në informalitet, të cilëve nuk u paguhet rregullisht paga apo të cilët nuk përfitojnë sigurimet shoqërore dhe shëndetësore. Për këtë arsye atyre duhet t’u garantohet mbrojtje dhe mbështetje me synim përmirësimin e kushteve të punës së tyre.

Një raport i botuar nga BIRN Albania evidentoi lidhjet e medias me politikën dhe biznesin. Përsa kohë do të vazhdojnë presionet në media nuk do të ketë liri të të shprehurit në Shqipëri.

Në raport me qeverinë, ashtu siç është shprehur disa herë edhe nga Gjykata e Strasburgut, kufijtë e lejueshëm të kritikës duhet të jenë më të gjera. Në një sistem demokratik, veprimet apo mosveprimet e qeverisë duhet të jenë objekt i një kritike rigoroze të medias së shkruar dhe asaj elektronike. Por kjo kërkon që shtypi të jetë i pavarur, të mos ndikohet nga politika, biznesi si dhe nga qëndrimet dhe ndikimet e njëanshme dhe klienteliste. Liria e shtypit i ofron shoqërisë një nga mënyrat më të mira për zhvillimin dhe formimin qëndrimeve dhe opinioneve te liderëve të tyre. Politikanët duhet të jenë më tolerantë ndaj kritikave që bën ndaj tyre shtypi i përditshëm.

Publiku i gjerë kërkon nga shtypi më tepër informacion dhe më tepër analiza të thelluara, sidomos për çështje që prekin interesin publik, problemet ekonomike dhe sociale si dhe liritë dhe të drejtat e tyre. Vëmë re që lajmet për zhvillimet politike në vend zënë hapësirë të konsiderueshme, ndërkohë që i kushtohet pak vëmendje problemeve dhe diskriminimit të grupeve vulnerabël të shoqërisë si Romët, Egjyptianët, LGBTI, gratë, fëmijët, personat me aftësi të kufizuar dhe shtresat e varfra.

Shtypin e lirë duhet ta karakterizojë e vërteta, etika gazetareske, mos cënimi i integritetit dhe privatësisë së personit. Shqipëria ka nevojë që të rritet në një nivel më të lartë dhe cilësor roli investigativ dhe cilësor i shtypit.

Sipas indeksit për lirinë e medias në botë për vitin 2016, Raporterët pa Kufinj referojnë se Shqipëria nuk ka shënuar progress dhe renditet në të njëjtin vend si në vitin që lamë pas, përkatësisht në vendin e 82 mes 180 shteteve të analizuara në Botë. Këto të dhëna kërkojnë reflektim dhe vëmendje nga autoritetet rregullatore në fushën e medias, gazetarët, përfaqësuesit e organizatave jofitimprurëse që mbrojnë të Drejtat dhe liritë e shtetasve dhe shoqëria civile në tërësi.

Ne besojmë se media është një faktor i rëndësishëm në luftën për drejtësi dhe kundër varfërisë si dhe për t’u dhënë zë grupeve më të cënuara të shoqërisë. Garantimi i medias së lirë ndihmon gjithashtu debatin publik si dhe rrit përgjegjësinë e përfaqësuesve të zgjedhur dhe zyrtarëve të tjerë që duhet të vihen në shërbim të njerëzve. Në këtë drejtim duhet shumë punë si nga redaksitë ashtu edhe nga gazetarët për të rritur standartet e një shoqërie demokratike ku respektohen dhe garantohen të drejtat dhe liritë e shtetasve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TOP Komiteti Shqiptar i Helsinkit