Ngjarja e rëndë në Marinzë mund të parandalohej


Në datën 1 prill 2015, publiku erdhi në dijeni se në zonën e Marinzës, të Fierit kanë shpërthyer disa puse nëntokësore nafte. Si pasojë e shpërthimeve të përsëritura, të shoqëruara me çlirimin e gazit në ajër si dhe daljen e ujërave nëntokësore, situata është bërë e rrezikshme dhe për pasojë është dashur të evakuoheshin dhjetëra familje. Janë dëmtuar dhe përmbytur banesa si dhe është ndërprerë mësimi në shkollat e zonës. Faktikisht, banorët e kësaj zone kanë ngritur zërin, herë pas here, dhe janë ankuar për shpërthimet e nëndheshme të vazhdueshme, që kryente kompania Bankers Petroleum, të cilat u kishin dëmtuar shtëpitë dhe pronat e tyre, por për fat të keq, institucionet shtetërore përgjegjëse dhe drejtuesit e kompanisë që operonte nuk u a kishin vënë veshin sa duhet.

Megjithëse institucionet përgjegjëse shtetërore u angazhuan për të verifikuar dhe parandaluar shkaqet e shpërthimeve dhe pasojat, ngjarja e mësipërme tregoi se masat e marra nuk kanë qenë efektive ose nuk kanë adresuar drejt problematikën ekzistuese.

Mbështetur në ankesat e banorëve të zonës, në fillim të Tetorit 2014, Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) dërgoi në vend një grup vëzhguesish dhe konstatoi se, midis të tjerave, ajri në këtë zonë ishte tepër i ndotur. Personeli mjekësor i Qendrës Shëndetësore Zharrëz (pranë Marinzës) na informoi se kjo situatë kishte ndikuar dhe vazhdonte të ndikojë negativisht në keqësimin e shëndetit të banorëve. Nga ana e tyre, banorët shprehën pakënaqësinë se asnjëherë nuk ishte ndërhyrë për të parandaluar këtë gjendje. Më 2 Tetor 2014 KShH reagoi me një deklaratë publike, lidhur me situatën e rëndë të konstatuar, si dhe ju drejtua zyrtarisht, me shkresë, Kryeministrit, Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, Ministrit të Mjedisit, Ministrit të Shëndetësisë, Komisioneve të Kuvendit, veprimtaria e të cilëve lidhej me problematikat e situatës në Marinëz. Atyre ju kërkuam të kryenin verifikimet e nevojshme dhe të ndërhynin për të garantuar që aktiviteti i shfrytëzimit të puseve të naftës i kompanisë “Bankers Petroleum” të kryhej në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe kontratën e lidhur dhe, mbi të gjitha, të zhvillohej pa shkaktuar dëm pronës dhe shëndetit të banorëve të zonës. Ne morëm vetëm një përgjigje nga Drejtoria e Politikave& Zhvillimit të Hidrokarbureve, e cila na përcillte një shkresë të Drejtorisë së Hidrokarbureve, pranë Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, në të cilën përshkruheshin gjetjet e monitorimit të kryer në zonë nga ai autoritet, por në shkresën që morëm nuk gjetëm asnjë konkluzion ose masë të marrë prej tyre për përmirësimin e situatës.

KShH mendon, gjithashtu, se fillimi i çështjes penale është i vonuar, pasi organet e ndjekjes penale duhet të kishin nisur hetimin kohë më parë, me nismën e tyre, të nxitur nga ankesat e herëpashershme të shtetasve të zonës, të cilat janë përcjellë nga mediat e shkruara dhe elektronike të vendit. Nga ana tjetër ne presim që organet e administratës shtetërore dhe ato të drejtësisë të veprojnë jo vetëm kur ndodh një ngjarje e rëndë, por dhe për të parandalimin e tyre, si dhe të tregojnë më shumë vëmendje ndaj shqetësimeve që ngrenë shtetasit.

KShH sugjeron që autoritetet përkatëse të analizojnë me seriozitet situatën, shkaqet që e shkaktuan dhe personat përgjegjës që kanë ndikuar në shkaktimin e saj, ose që nuk kanë vepruar për parandalimin e ngjarjes të vihen përpara përgjegjësive ligjore. Sugjerojmë, gjithashtu, që institucionet përgjegjëse shtetërore të marrin masat e nevojshme për të normalizuar situatën, si dhe për të detyruar subjektet fajtorë të çdëmtojnë shtetasit e dëmtuar dhe për të kthyer mjedisin në gjendje normale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2020 >
May
MoTuWeThFrSaSu
    123
45678910
11121314151617
18192021222324
25262728293031
TOP