Tre organët më të rëndësishme të qeverisjes së sistemit të ri të drejtësisë, Këshilli i Lartë Gjyqësor, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Inspektori i Lartë i Drejtëisë përgjatë vitit 2023 janë ballafaquar me një numër sfidash që kanë dobësuar efikasitetin e tyre. Pjesërisht këto sfida kanë qenë të lidhura edhe me vakancat me të cilat po përballet sistemi gjyqësor dhe ai i prokurorisë. E megjithatë, përpjekje konkrete dhe të ndjeshme në publik nevojiten për forcimin e integritetit, efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies së këtyre institucioneve.
Disa nga problematikat e konstatuara janë të ngjashmë për institucionet e monitoruara.
“KLGJ në administrimin e sistemit të karrierës së gjyqtarëve ka qenë e ndikuar nga disa faktorë, si: zbatimi i hartës së re gjyqësore për shpërndarjen e gjyqtarëve nga gjykatat e suprimuara dhe plotësimi i vakancave të krijuara në sistem për shkak të proçesit të vetingut. Vlen të theksohet se vetë organet e qeverisjes së gjyqësorit, sikurse është ILD përballen me mungesa në organikën që funksionon me mungesë inspektorësh”, shkruhet në raportin e KShH-së për Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Nga ana tjetër, KSHH shprehet se, nga disa prej vizitave të realizuara në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, ende pas 6 viteve nga funksionimi i institucioneve të reja të qeverisjes së drejtësisë sistemi është në kushte “jo normale” pune, për shkak të vakancave të larta dhe stokut shqetësues të dosjeve.
Ndër aspektet kryesore për të cilat KSHH kërkon vëmendje të shtuar dhe të menjëhershme është përmirësimi i transparencës së Këshillave.
KSHH rekomandon se, Këshilli i Lartë i Prokurorisë nevojitet të miratojë mekanizmat e duhur që forcojnë integritetin e brendshëm të anëtarëve të tij si dhe parandalojë rastet e mundshme të konfliktit të interesit apo ndikimeve që mund të perceptohen në mënyrë korporatiste dhe me elementë të nepotizmit në prokurori.
Në raportin për KLGJ-ë, shkruhet: “Standartet e transparencës dhe efikasitetit janë evidentuar si problematike në vendimmarrjen për transferimet e përkohshme dhe ato me pëlqim të dedikuar, si dhe në vendimet për caktimin e gjyqtarëve në çështje të veçanta, për shkak të mungesës së një arsyetimi të detajuar mbi mënyrën se si përmbushen kriteret ligjore nga kandidatët”.
Sa i takon procedimeve disiplinore ndaj magjistratëve prokurorë dhe gjyqtarë ato janë të pakta nëse krahasohen me numrin total të ankesave që ILD ka administruar dhe verifikuar përgjatë vitit 2023.
ILD është përballur me administrimin e 2340 ankesave përfshirë dhe ato të mbartura nga viti i kaluar, dhe ka iniciuar 18 hetime disiplinore në 2023-shin. Përgjatë këtij viti nuk ka pasur asnjë vendim nga KLGJ-së qoftë për caktim të masës disiplinore, apo për përfundimin e procedimit disiplinor. Problematike mbetet zvarritja e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve, në KLGJ, për shkak të mungesave të përsëritura të gjyqyatëve që janë objekt i këtyre procedimeve.
KShH vlerëson se KLGJ duhet të publikojë procesverbalet dhe aktet administrative për procedimet displinore në një rubrikë të dedikuar vetëm për procedimet disiplinore, me qëllim që përdoruesit e faqes të jenë sa më të orientuar në gjetjen e informacionit”.
Nga ana tjetër KLP ka dhënë dy masa disiplinore “Shkarkim nga detyra” për dy prokurorë që janë shpallur fajtorë për kryerjen e një vepre penale si dhe ka pezulluar dy prokurorë të tjerë për shkak të proceseve penale dhe administrative (vettingut) ndaj tyre. Shkaku i caktimit të këtyre masave lidhet me ekzistencën e një vendimi gjyqësor penal të formës së prerë, ose të një mase sigurimi personal dhe jo me ndonjë nga shkaqet e tjera, që passjellin lindjen e përgjegjësisë disiplinore.
KShH vlerëson se ky trend i përgjegjshmërisë disiplinore nuk përmbush objektivat mbi bazën e të cilave u ideuan dhe krijuan këto institucione shtyllë të qeverisjes së drejtësisë të cilat synuan ruajtjen e një balance të drejtë midis garantimit të pavarësisë, profesionalizmit dhe meritokracisë së prokurorëve/gjyqtarëve, në raport me mekanizmat që garantojnë llogaridhënien dhe përgjegjshmërinë e tyre. Procedimet disiplinore, sikurse KShH e ka theksuar në raportet e monitorimit nuk duhet të synojnë largime të mëtejshme nga sistemi gjyqësor dhe i prokurorisë (kur shkeljet nuk janë të rënda).
Raportet e plota mbi veprimtarinë e KLGJ, KLP dhe ILD janë konsultuar me të tre institucionet. KShH është një organizatë jofitimprurëse e pavarur monitoruese Qëndrimet e institucioneve të monitoruara janë bërë pjesë e një ankesi të veçantë për secilin raport, në frymën e transparencës karshi publikut si dhe dialogut konstruktiv që KShH mban me Institucionet,
Raporti i plotë për veprimtarinë e KLGJ dhe ILD-së për vitin 2023 mund të aksesohet në këtë link:
Raporti i plotë për veprimtarinë e KLP-së dhe ILD-së për vitin 2023 mund të akesohet në këtë link: