Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) po përfaqëson në rrugë gjyqësore rastin e një shtetasi të dënuar, F.Z, i cili prej 6 vitesh nuk i nënshtrohet ndërhyrjes kirurgjikale për dëmtimet nervore të shkaktuara në këmbën e tij, si rezultat i thyerjes së pllakës metalike gjatë ekzekutimit të dënimit me burgim. Me vendimin nr. 1/154 akti, dt. 10.03.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë është konstatuar trajtim çnjerëzor dhe degradues të këtij shtetasi si dhe është urdhëruar kryerja e ndërhyrjes kirurgjikale.
Megjithëse vendimi gjyqësor ka marrë formë të prerë dhe është vënë në ekzekutim menjëherë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale Krujë dhe Institucionet Publike të ofrimit të Shërbimit Shëndetësor nuk kanë marrë masat e nevojshme për zbatimin e tij. Kjo ndërhyrje nuk është bërë ende e mundur, pasi vlerësohet të jetë komplekse dhe kërkon një gamë të gjerë pajisjesh dhe mjetesh, të cilat shteti nuk i disponon plotësisht.
Gjykata e Strasburgut, në dt. 26.08.2016, pranoi Kërkesën e KShH për Marrjen e Masës së Përkohshme dhe urdhëroi autoritetet shtetërore Shqiptare që, në mënyrë urgjente, ankuesit të përfaqësuar nga KShH, t’i sigurohej trajtimi i kërkuar mjekësor (ndërhyrja kirurgjikale), siç kishte vendosur më pare Gjykata e Rrethit Gjyqesor Krujë. Megjithatë, edhe sot ky vendim gjyqësor nuk është ekzekutuar nga organet shtetërore përgjegjëse.
Në muajin Korrik 2017, KShH iu drejtua Gjykatës Kushtetuese me Kërkesë me objekt, konstatimin e cenimit të së drejtës për një proces të rregullt ligjor, si rrjedhojë e moszbatimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.
Në dt. 30.12.2016, Gjykata Kushtetuese ka shpallur Vendimin nr. 89, me të cilin ka vendosur pranimin e Kërkesës dhe konstatimin e cënimit të së drejtës kushtetuese për një proces të rregullt ligjor si pasojë e mosekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë nr. 1/154 akti, dt. 10.03.2015, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë. Sipas Gjykatës Kushtetuese: “Edhe pas marrjes së masës së përkohshme nga ana e GJEDNJ-së dhe kërkimit të paraqitjes së komenteve me shkrim nga subjektet e interesuara për efekte të këtij gjykimi, nga ana e institucioneve përgjegjëse nuk është dhënë asnjë informacion nëse materialet mjekësore të nevojshme janë gjetur tashmë dhe nëse konkluzioni i mjekëve për moskthimin e funksionit normal të këmbës lidhet me mungesën e tyre apo me llojin e problemit shëndetësor të konstatuar.”
KShH do të vazhdojë ndjekjen e kësaj çështjeje me qëllim realizimin e plotë të të drejtave të njohura me ligj, për shtetasin e dënuar me burgim. KShH falenderon Fondacionin Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA) për mbështetjen e ofruar për përfaqësimin ligjor të këij rasti.