Sesion informues me perfaqesues te dhomave te tregetise, te biznesit dhe shoqatave te biznesit
Sot më datë 25 Tetor 2016 Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) në kuadër të zbatimit të projektit “Për një transparencë dhe pjesëmarrje më të lartë të grupeve të interesit në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organeve publike” të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, organizoi një sesion informues me përfaqësues të dhomave të tregtisë, të biznesit dhe shoqatave të biznesit.
Përfaqësues të KShH-së Znj.Erida Skëndaj, Drejtore Ekzekutive e KShH-së dhe Z.Niazi Jaho, Këshilltar Ligjor pranë KShH-së dhanë kontributin e tyre në drejtim të njohjes së pjesëmarrësve me risitë e ligjit si dhe lidhur me procedurat e njoftimit dhe konsultimit publik. KShH do të ofrojë asistencë ligjore për grupet e interesit në zbatim të ligjit të mësipërm, lidhur me marrjen dhe përcjelljen e informacioneve për planet vjetore të 19 Ministrive sa i takon procesit vendimmarrës. Gjithashtu KShH do të ushtrojë presion pozitiv së bashku me grupet e interesit për zbatimin e ligjit të njoftimit dhe konsultimit publik. KShH informoi shoqatat e biznesit dhe dhomat e tregtisë se do t’i asistojë teknikisht në draftimin e rekomandimeve legjislative, përfaqësimit gjatë procedurave të ankimimit pranë titullarit të institucionit si dhe Komisionerit për të Drejtën e Informimit.
Ky aktivitet kishte për qëllim informimin e pjesëmarrësve lidhur me rëndësinë, risitë, procedurat, mënyrën e ankimit dhe të përfshirjes gjatë procesit të konsultimit dhe njoftimit publik në frymën e parashikuar nga Ligji Nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”.
Në këtë aktivitet ofruan kontributin e tyre Znj.Ersida Sefa, përfaqësuese e Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Z.Nikolin Jaka, Kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, Z.Lorenc Gjoni, Drejtor Ekzekutiv i Dhomës Amerikane të Tregtisë, si dhe përfaqësues dhe ekspert të KShH-së.
Pjesëmarrësit u ndalën në diskutimin e problematikave lidhur më ndryshimet e shpeshta që po pëson kuadri ligjor, mos zbatimi i ligjeve, mos marrja në konsideratë e sugjerimeve dhe rekomandimeve si kontribut i shoqërisë civile dhe të përfaqësuesve të biznesit gjatë konsultimeve publike, mos funksionimi i faqes zyrtare të ‘Regjistrit Elektronik për Njoftimet dhe Konsultimet Publike”, mungesa e informacionit dhe e transparencës, etj. Ndër të tjera u evidentua rëndësia e ndërgjegjësimit për të kërkuar të drejtat që burojnë nga Ligji Nr. 146/2014 “Për njoftimin dhe konsultimin publik”, lobim dhe advokim i përbashkët pranë institucioneve të administratës publike si dhe qasja më pranë komuniteteve të tjera pranë zonave të ndryshme të vendit tonë.
KShH do të vazhdojë të kontribuojë për një respektim sa më të mirë të të drejtave të njeriut, në funksion të përmbushjes së misionit të tij dhe për një përfshirje sa më të gjerë të subjekteve të interesuara në proceset e njoftimit dhe konsultimit publik.
Ky aktivitet realizohet në kuadër të projektit “Për një transparencë dhe pjesëmarrje më të lartë të grupeve të interesit në proceset politikëbërëse dhe vendimmarrëse të organeve publike” të mbështetur financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë.