KShH i kërkon Gjykatës së Strasburgut zgjidhje efektive për ndërprerjen e trajtimit çnjerëzor dhe degradues të shtetasve me masë mjekësore “Mjekim i detyruar në një insititucion mjekësor”


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka ndjekur në vazhdimësi çështjen e trajtimit të shtetasve ndaj të cilëve gjykata ka caktuar masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”, sipas nenit 46, të Kodit Penal. Këta shtetas, në shkelje të ligjit dhe të vendimeve të gjykatës, prej më shumë se 15 vitesh janë të akomoduar në burgje dhe trajtohen nga personeli i burgjeve, për shkak të mungesës së një institucioni të specializuar mjekësor në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Përveç faktit që këta shtetas i nënshtrohen kufizimeve që zbatohen ndaj personave të dënuar me burgim, është konstatuar mungesa apo formalizmi i programeve për trajtim individual apo psikoterapi si dhe mungesa e një game të gjerë aktivitetesh terapeutike për mjekimin e specializuar të tyre. Një problem i vazhdueshëm me pasoja shëndetësore është mungesa e mjekëve psikiatër ose pamjaftueshmëria e tyre në përputhje me numrin e këtyre shtetasve si dhe mungesa e stafit mbështetës për plotësimin e nevojave specifike për shkak të gjendjes shëndetësore në të cilën ata ndodhen. Gjithashtu, nga institucionet dhe organizatat e specializuara janë konstatuar kushte të këqija materiale të akomodimit në burgjet ku këta shtetas mbahen, të cilat çojnë deri në trajtim degradues dhe ç’njerëzor të tyre.

Rekomandimet e përsëritura të Komitetit për Parandalimin e Torturës të Këshillit të Evropës, të Avokatit të Popullit dhe të Komitetit Shqiptar të Helsinkit, drejtuar institucioneve përgjegjëse shtetërore lidhur me trajtimin e këtyre shtetasve në kushte të rënda, aspak të përshtatshme për mjekimin e tyre, nuk janë zbatuar nga institucionet përgjegjëse shtetërore të vendit tonë, duke lënë të pazgjidhur këtë çështje prej më shumë se një dekade e gjysëm.

KShH ka asistuar në rrugë ligjore një shtetas me këtë masë mjekësore, i cili që nga viti 2009 është trajtuar në Institutin e Veçantë Shëndetësor të të Burgosurve dhe në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Krujë. Ky shtetas vuan nga sëmundja mendore “Skizofreni paranoide”. Kushtet e papërshtatshme mjekësore për shkak të mbajtjes në burgje kanë përkeqësuar gjëndjen e tij shëndetësore. Me qëllim mbrojtjen e të drejtave themelore të këtij shtetasi, KShH, i është drejtuar organeve vendase të sistemit të drejtësisë penale duke e përfaqësuar këtë shtetas në realizimin e mbrojtjes së tij ligjore.

Në kushtet kur sistemi ynë i brendshëm juridik ka dështuar të zgjidhë efektivisht këtë çështje, KShH ka paraqitur në Gjykatën Europiane për të Drejtat e Njeriut, një ankesë për shkelje të neneve 3, 5, 6, 8, 13, dhe 14 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Sipas KShH, ky shtetas mbahet në kushte çnjerëzore dhe degraduese, trajtohet si person i dënuar megjithëse nuk ka një vendim dënimi me burgim si dhe është i diskriminuar në raport me trajtimin mjekësor të shtetasve të tjerë që vuajnë nga sëmundje kronike të shëndetit mendor dhe që janë akomoduar dhe trajtohen në institucione të specializuara mjekësore.

Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut, përveç shqyrtimit të shkeljeve për rastin në fjalë, mund të shprehet edhe me masa të përgjithshme për shtetin Shqiptar, me qëllim trajtimin në përputhje me standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, të komunitetit prej 165 shtetasish me këtë masë mjekësore, të cilët ndodhen në të njëjtën situatë si ankuesi.

Përfaqësimi i kësaj çështje në organet e sistemit tonë gjyqësor dhe në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, mbështetet financiarisht nga Civil Rights Defenders.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

eventet

< 2017 >
May
MoTuWeThFrSaSu
1234567
891011121314
15161718192021
22232425262728
293031    
TOP