Në emër të Koalicionit “Drejtësi për të gjithë”, vlerësojmë se qytetarët kërkojnë hapa konkrete dhe vullnet të qartë nga të gjitha forcat politike dhe institucionet kushtetuese, për zbatimin efektiv të reformës në drejtësi dhe zhvillimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Pa këto dy reforma tepër të rëndësishme për vendin tonë, nuk mund të pretendohet për ekzistencën dhe konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe për respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Konstatojmë me keqardhje, se miratimi i reformës zgjedhore dhe zbatimi i reformës në drejtësi, dy reforma kyçe për qytetarët dhe për integrimin e vendit në Bashkimin Evropian, janë në ngërç.
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është procesi më i rëndësishëm për qytetarët, të cilët kërkojnë një sistem drejtësie të pakorruptuar, të pavarur dhe të besueshëm. Koalicioni vëren se kanë kaluar 12 ditë tashmë prej ditës kur Avokati i Popullit publikoi listën e kandidatëve që plotësojnë kriteret formale dhe joformale për institucionet e vetingut. I kemi kërkuar dhe vazhdojmë t’i kërkojmë Avokatit të Popullit më shumë transparencë për publikun, përsa i takon mënyrës se si janë zbatuar kriteret e parashikuara në ligj për kandidatët që janë verifikuar.
Gjithashtu, Koalicioni ka monitoruar procesin e verifikimit të kryer nga grupi i punës pranë Avokatit të Popullit për kandidatët e shoqërisë civile në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Së pari, kemi konstatuar një nivel të ulët përfaqësimi nga shoqëria civile në këtë seancë publike, çka mendojmë se mund të ishte shmangur nëse do të kishte pasur një rol më proaktiv nga ana e Avokatit të Popullit për të informuar dhe për të bërë gjerësisht publik procesin. Gjatë këtij monitorimi, Koalicioni konstatoi po ashtu, se shumica e kandidaturave nuk vijnë nga radhët e shoqërisë civile dhe nuk përmbushin kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe në Ligj. Me besimin që procedura do të rihapet, i bëjmë thirrje organizatave të shoqërisë civile për më shumë përgjegjshmëri në ofrimin e mbështetjes për kandidatët që përmbushin kriteret e parashikuara në Kushtetutë dhe ligj. Për Koalicionin është thelbësore që organizatat e shoqërisë civile të mos japin mbështetje fiktive dhe që të shmanget në mënyrë kategorike nepotizmi, apo çdo konflikt tjetër interesi.
Në përmbyllje, Koalicioni nxit dhe inkurajon organizatat e shoqërisë civile që të mbështesin kandidatë që vijnë realisht nga radhët e saj, që gëzojnë integritet të lartë moral dhe profesional dhe që nuk kanë asnjë lloj lidhjeje politike, me qëllim përfaqësimin dinjitoz të shoqërisë civile në KLGJ dhe KLP, dy institucione tepër të rëndësishme të qeverisjes së sistemit të drejtësisë.
Koalicioni “Drejtësi për të gjithë”
- Rrjeti i Fuqizimit të Gruas në Shqipëri – AWEN
- Qendra Psiko-Sociale “Vatra”, Vlorë
- Fondacioni Shqiptar për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara – ADRF
- Koalicioni Kombëtar i Strehëzave Anti-Trafikim – KKSAT
- Balkan Youth Link – Albania
- Instituti i Kulturës Rome në Shqipëri – IRCA
- Rrjeti i Grave për Demokraci – WDN Al
- Fondacioni “Syri i Medias së Re”, Gjirokastër
- Komiteti Shqiptar i Helsinkit – KSHH
- Qendra e Shërbimeve dhe Praktikave Ligjore të Integruara – QSHPLI
- Shoqata “Tjetër Vizion”, Elbasan
- Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri – AmCham
- Organizata “Të ndryshëm dhe të Barabartë”
- Instituti Shqiptar për Studime Ligjore dhe Territoriale – ALTRI
- Shoqata “Together for Life”
- Shoqata Evropiane e Studentëve të Drejtësisë – ELSA Albania
- Instituti i Evropës Juglindore për Kontratën Sociale – SSCI
- Qendra për Mbrojtjen e të Drejtave të Fëmijëve në Shqipëri – CRCA
- Shoqata për Kulturë Demokratike – SHKD
- Qendra për Nisma Ligjore e Qytetare – CLCI
ju pergezoj per nismen tuaj dhe ne bashkohemi me kete koalicione per reformen ne drejtesi dhe ne bashkepunim me cdo organizate dhe dikaster te jemi me shume te angazhuar ne procesin dhe te vetingut ku duhet vertet nje vullnet madhe dhe mbare popullit tone ne si Byroja Qendrore e Investigimit ne Albania me seline saje ne Tirane eshte shume mbeshtetse dhe hapur ne koalicione pune dhe bashkepunim dhe me Komitet Shqiptare te Helsinkit e mirepresim kete bashkepunim dhe me ju…me shume respekt
Director General
ALKET FURXHIU