Data 21 Mars shënon ditën ndërkombëtare për eleminimin e diskriminimit racial.
Sipas Konventës së UN për eleminimin e të gjitha formave të diskriminimit racial, ky i fundit nënkupton çdo dallim, përjashtim, kufizim, ose preferencë në bazë të racës, ngjyrës, prejardhjes, origjinës kombëtare ose etnike që ka për qëllim ose ndikon në zhvleftësimin ose dëmtimin e njohjes, gëzimit apo ushtrimit në mënyrë të barabartë, të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në fushat politike, ekonomike, sociale, kulturore apo çdo fushë tjetër të jetës publike.
Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) i bën thirrje të gjitha institucioneve publike, shoqërisë civile, medias si dhe të gjithë opinionit publik në vendin tonë për më shumë ndjeshmëri, ndërgjegjësim dhe reagueshmëri sa i takon ndalimit të diskriminimit dhe respektimit të të drejtave dhe lirive të individëve që mundet ose efektivisht diskriminohen mbi baza raciale.
Sot, në ditën ndërkombëtare për eleminimin e diskriminimit racial, i bëjmë thirrje të gjitha institucioneve publike si dhe organeve të pushtetit qendror dhe vendor, të intensifikojnë masat pozitive për integrimin e Komunitetit Rom dhe Egjyptian në shoqëri, të respektojnë integritetin fizik dhe moral si dhe dinjitetin e anëtarëve të këtyre komuniteteve në kontaktet që kanë me ta, në ushtrim të veprimtarisë dhe autoritetit të tyre publik.
KShH tërheq vëmendjen se, problemet me të cilat përballen në mënyrë të veçantë Komuniteti Rom dhe Egjyptian vazhdojnë të pengojnë ushtrimin në mënyrë të plotë dhe të barabartë të të drejtave të tyre me natyrë sociale – ekonomike dhe në mënyrë të veçantë në fushën e arsimit, strehimit, punësimit dhe formimit profesional, shëndetësisë, përkrahjes shoqërore, etj.
Bëjmë thirrje gjithashtu t’i jepet fund shfrytëzimit të fëmijëve Rom dhe Egjyptian, të cilët lypin në kushte të trajtimit ç’njerëzor në rrugë, lokale dhe ambiente të tjera publike, duke mos patur vëmendjen e mjaftueshme por përkundrazi duke u ndeshur në disa raste me neglizhencën e autoriteteve përgjegjëse shtetërore.