Në 16 dhjetor 1990, në grahmat e fundit të ish-regjimit diktatorial dhe në hapat e para të vendosjes së demokracisë, u krijua Forumi për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.
Në vitin 1993, Forumi u pranua si anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Helsinkit me qendër në Vienë dhe qysh prej asaj kohe u emërtua Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH). Në shenjë të mirënjohjes tonë të thellë dëshirojmë të evidentojnë nismën dhe devotshmërinë e atij grupi intelektualësh që në një moment të rëndësishëm historik për vendin tonë krijuan një nga organizatat më pro-aktive në fushën e të drejtave dhe lirive të shtetasve. Një pjesë e këtyre intelektualëve, për fat të keq sot nuk jetojnë më, por kontributi, ekspertiza dhe mbështetja që kanë dhënë për organizatën mbeten ngaherë gurë të vyer themeli.
Sot në këtë ditë përkujtimore vlen të përmendet reagimi i parë publik i organizatës për lirimin e menjëhershëm të të dënuarve dhe të internuarve të ndërgjegjes që u pasua më vonë (në vitin 1991) me vendimin e Kuvendit për pafajësinë dhe rehabilitimin e tyre. Që prej asaj dite, formë e rëndësishme e veprimtarisë tonë, kanë qënë dhe njoftimet dhe deklaratat për shtyp, për çështje ku janë vërtetuar shkelje të rëndësishme që kërkonin reflektim nga organet shtetërore ose ndërhyrjen e tyre për zgjidhjen e problemeve përkatëse.
Nuk ishte e lehtë të krijoheshin institucionet e reja demokratike dhe legjislacioni i ri ku do të mbështeteshin ato. KShH u angazhua fuqimisht në këtë debat, në mënyrë të veçantë, në diskutimin e dispozitave të ligjit për të drejtat e njeriut që u miratua në vitin 1993 dhe, më vonë, në përgatitjet për hartimin e Kushtetutës së vitit 1998.
KShH u mbështet qysh në fillim nga donatorë të jashtëm të besueshëm dhe me integritet që synonin konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në Shqipëri, veç të tjerave, dhe nëpërmjet respektimit të të drejtave dhe lirive të shtetasve. Me rastin e këtij përvjetori, KShH ndjen gjithashtu detyrën t’u shprehë atyre respektin, mirënjohjen dhe falenderime të veçanta.
KShH në këtë ditë të veçantë dëshiron të shprehë mirënjohjen dhe falenderimet e sinqerta për Presidenten dhe anëtarët ndër vite të Asamblesë së KShH-së që është organ i lartë dhe i vetëm vendimmarrës i organizatës, për stafin ekzekutiv ndër vite, i cili edhe pse në numër të kufizuar ka bërë përpjekjet maksimale për t’ju përgjigjur sfidave të shumta të të drejtave të njeriut dhe shtetit të së drejtës në vend, për rrjetin tonë të korrespondentëve që kryesisht kanë punuar në mënyrë vullnetare për të përçuar zërin dhe misionin e organizatës në qytetet dhe zonat rurale, për rrjetin e aktivistëve të rinj, vëzhguesve, konsulentëve dhe bashkëpunëtorëve të jashtëm, pa të cilët, misioni ynë do të ishte pothuajse i pamundur. Është, pra, e nevojshme dhe e justifikueshme për t’u shprehur atyre falenderimet dhe respektin e veçantë për kontributin e tyre të çmuar.
Fokusi kryesor i KShH-së ka qënë dhe mbetet kontakti me njerëzit e shtresave të ndryshme, veçanërisht atyre në nevojë, dëgjimi, ndjekja, ndërhyrja pranë institucioneve dhe, sipas rastit, dhe zgjidhja e kërkesave dhe ankesave të qytetarëve. Përvoja ka treguar se pikërisht ky angazhim i KShH-së e ka rritur besimin e qytetarëve ndaj tij. KShH nuk ka hezituar të vihet në rolin e mbrojtësit apo të përfaqësuesit të personit që mund t’i jetë cënuar e drejta e sanksionuar në ligje edhe në prokuroritë dhe gjykatat e vendit, deri dhe në Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut (Strasburg).
KShH ka shfaqur opinione, ka bërë vërejtje dhe sugjerime për përmirësimin e një numri të konsiderueshëm projektligjesh, pa hezituar të prononcohet publikisht edhe për shkelje të natyrës kushtetuese.
Në përputhje me misionin, KShH ka ofruar kontributin modest në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, si dhe parandalimit të kriminalitetit nëpërmjet sensibilizimit të shtetasve për njohjen e ligjeve dhe denoncimin e veprave penale por gjithashtu dhe nëpërmjet monitorimit të veprimtarisë së institucioneve të pavarura në këtë fushë dhe monitorimit të sistemit të drejtësisë penale në vend.
KShH u angazhua për ndërgjegjësimin e publikut dhe kuptimin më të mirë të legjislacionit të miratuar lidhur me një nga reformat më të rëndësishme që po zbatohen në vend, reformën në sistemin e drejtësisë dhe, në të njëjtën kohë, ka monitoruar dhe ofruar oponencën e tij konstruktive ndaj institucioneve të reja të drejtësisë, me qëllim zbatimin në praktikë të këtij legjislacioni, konform standarteve.
KShH ka kryer monitorime të vazhdueshme në drejtim të respektimit të të drejtave të shtetasve të paraburgosur dhe të dënuar në institucionet e sistemit penitenciar. Në bazë të ndërhyrjeve dhe rekomandimeve të tij, ka patur raste kur janë marrë masat përkatëse për rivendosjen e së drejtës së shkelur, ndërkohë që jo gjithmonë kritikat e adresuara pranohen nga institucionet e sistemit penitenciar. E njëjta metodologji punë dhe shqetësime janë vërejtur nga veprimtaria jonë monitoruese edhe në komisariatet e policisë ku mbahen shteasit e shoqëruar, të ndaluar apo të arrestuar.
Zgjedhjet periodike të përgjithshme apo lokale kanë qënë dhe vazhdojnë të jenë, gjithashtu, një nga shtyllat e rëndësishme të veprimtarisë së KShH-së, e cila ka ofruar sugjerime dhe rekomandime në mënyrë të vazhdueshme për përmirësimin e mëtejshëm të legjislacionit zgjedhor. Ky kontribut është kushtëzuar edhe me faktin se si dhe sa ështe zbatuar nga organet përkatëse parimi i gjithëpërfshirjes, konsultimit efektiv dhe transparencës. Monitorimi i zgjedhjeve, edhe pse relativisht i kufizuar, ka qënë cilësor dhe është bazuar në parimet e profesionalizmit, objektivitetit dhe paanshmërisë së vëzhguesve.
KShH ka vlerësuar vazhdimisht rolin dhe kontributin e organizatave të tjera të shoqërisë civile me të cilat ka bashkëpunuar dhe vazhdon të bashkëpunojë me aktivitete të ndryshme ndërgjegjësuese, trajnuese, lobuese dhe advokuese, studime apo raporte kërkimore si dhe reagime të përbashkëta me karakter publik.
Misioni dhe rrugëtimi ynë ende vazhdon, pasi çështjet e të drejtave dhe lirive të njeriut në vend vijojnë të mbeten komplekse dhe shumë grupe në nevojë përballen me forma të ndryshme të shkeljes së tyre si dhe jetojnë në kushte të vështira sociale-ekonomike. Një nga problemet kyç mbetet zbatimi i legjislacionit në praktikë nga organet publike dhe veçanërisht Konventave Ndërkombëtare në fushën e të drejtave të njeriut ku vendi ynë ka aderuar, duke i bërë pjesë të legjislacionit të brendshëm.