Deklaratë për shtyp – Maj 31, 2016


Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KSHH), organizata e parë joqeveritare e krijuar në dhjetor të vitit 1990, shpreh shqetësimin se miratimi i reformës në sistemin e drejtësisë po vonohet. Shqetësimi ynë buron nga fakti se jemi një organizatë që për më shumë se 25 vjet, si mision kryesor kemi patur dhe vazhdojmë të kemi mbrojtjen e lirive, të drejtave dhe interesave të ligjshme të shtetasve, duke monitoruar në mënyrë proaktive gjykatat, prokurorinë, vendimet e prokurorisë dhe vendimet gjyqësore.

Shtetasit shqiptarë janë direkt të interesuar që reforma në drejtësi të miratohet sa më parë. Ata mund të mos jenë njohur me detajet e dispozitave të Projektit për ndryshimet Kushtetuese, por jeta, praktika, i ka bindur ata se nuk mund të vazhdohet me sistemin ekzistues.

Korrupsioni shqetësues në këto organe, fenomeni i pandëshkueshmërisë sidomos i zyrtarëve të lartë, mungesa e pavarësisë dhe e paanshmërisë si rezultat i ndikimit të politikës dhe të botës së krimit, mungesa e eficencës, zvarritjes së proceseve gjyqësore dhe aksesi i kufizuar të shtetasve në organet e sistemit të drejtësisë janë të njohura për të gjithë. Si rrjedhim, kjo situatë dëmton në radhë të parë interesat e shtetasve dhe imazhin e vendit tonë. Ata nuk mund të jenë dakord me një sistem të tillë. Përfaqësuesit e popullit mendojmë se duhet ta dëgjojnë zërin e sovranit dhe duhet të anashkalojnë interesat e tyre të ngushta partiake në një moment kaq të rëndësishëm dhe jetik siç është miratimi i reformës në drejtësi.

Mazhoranca dhe opozita kanë pranuar dhe vlerësuar publikisht opinionet mjaft cilësore të Komisionit të Venecias, rekomandimet e ShBA-së dhe BE-së, asistencën e vazhdueshme të OPDAT-it dhe të Euraliusit.

Është e drejta e përfaqësuesve të Kuvendit që të debatojnë në mënyrë konstruktive dhe kur është rasti të arrijnë edhe në kompromise, në përputhje me parimet bazë dhe standardet ndërkombëtare, por pa cenuar interesat e shtetasve.

Për KSHH-në, kryesore është zgjidhja e drejtë e problemit dhe jo numri i votave që kërkohen për miratimin e projektkushtetutës. KSHH vlerëson se debatin pluralist dhe demokratik, në Komisionin e Posaçëm Parlamentar për reformën në sistemin e drejtësisë, si dhe në seancat plenare të Kuvendit, duhet të dominojë arsyeja, argumenti dhe jo “gara” e akuzave reciproke dhe gjuha e urrejtjes. Sovrani, siç dihet është gjykatësi më i mirë. Kur është rasti ai vlerëson me nota pozitive apo negative përfaqësuesit e vet. Për KSHH-në do të ishte në dëm të interesave të shtetasve dhe të vendit që mungesa e vullnetit politik të kamuflohet me qëndrime apo pretekste të pajustifikuara.

KSHH u bën thirrje të gjitha partive politike parlamentare që mbi gjithçka të vënë interesat e popullit i cili, veç të tjerave, kërkon zbutjen e tensionit dhe të atmosferës tepër të politizuar në vend, përmirësimin e jetës social-ekonomike shërbime efiçente, profesionale dhe akses në organet e sistemit të drejtësisë.

Një vend demokratik, siç jemi ne, vetëm integrimi i shpejtë Europian dhe vendosmëria për të kapërcyer vështirësitë që ende janë të pranishme, janë faktorë të rëndësishëm që kërkojnë miratimin e shpejtë të reformës në sistemin e drejtësisë.

KSHH është i bindur se reforma në drejtësi do të ndikojë pozitivisht edhe në zbatimin e reformave në fusha të tjera. Pa kryerjen e reformës në drejtësi nuk mund të pretendohet për shtet të së drejtës, për zbatimin e parimit kushtetues se para ligjit janë të gjithë të barabartë si dhe ushtrimin efektiv të së drejtës për një proces të rregullt ligjor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Postime

eventet

< 2020 >
January
MoTuWeThFrSaSu
  12345
6789101112
13141516171819
20212223242526
2728293031  
TOP